10 milionë të vaksinuar, CoronaVac parandalon 85% hospitalizimin

Vaksina e firmës kineze Sinovac rezultoi 67% efikase për të parandaluar infeksionet simpomatike, nga një studim tek popullsia e Kilit. Në këtë studim janë përfshirë të dhënat për 10 milionë të vaksinuar ku u zbulua se vaksina CoronaVac është 85% efikase për të parandaluar shtrimet në spitale dhe 80% për parandalimin e vdekjeve, thuhet në raportin e hartuar nga Ministria kiliane e Shëndetësisë.

“Të dhënat më të rëndësishme janë ato që tregojnë se efikasiteti i vaksinës për parandalimin e rasteve të infeksionit me simptoma arrin në 67%,” tha Rafael Araos, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë.

Kili i bashkohet vetëm Mbretërisë së Bashkuar dhe Izraelit që kanë publikuar të dhënat e mbledhura gjatë vaksinimit masiv të popullsisë, duke treguar se sa efikase kanë qenë vaksinat e përdorura.

Të dhënat e publikuara nga qeveria kiliane japin një tablo më të qartë dhe më pozitive për vaksinën kineze CoronaVac sesa të dhënat e mbledhura gjatë provave klinike.

Në Janar shkencëtarët brazilianë kanë zbuluar se CoronaVac pati 78% efikasitet për të parandaluar rastet e mesme dhe të rënda simptomatike.

Në Indonezi vaksina u miratua pasi rezultoi 65% efikase gjatë provave klinike. Ndërsa në Turqi, CoronaVac rezultoi 83.5% për parandalimin e rasteve simptomatike dhe 100% efikase në parandalimin e sëmundjes së rëndë dhe shtrimin në spital.

Klan News