Studimi, pse disa zona u goditën më fort nga Covid
Ekspertët italianë: Gjithçka lidhet me shkaqe gjenetike
Pse virusi i Covid-19 shkaktoi më shumë viktima në zona të caktuara? Kjo është pyetja që shkencëtarët janë përpjekur t’i japin përgjigje prej kohësh dhe ndoshta janë italianët e Institutit “Mario Negri” ata që e kanë gjetur.
Në një studim të botuar në revistën “Science” ata kanë shpjeguar se përse për shembull Lombardia pati një numër të frikshëm viktimash ndryshe nga Roma apo Napoli.
Shkak për këtë duket se është një gen i trashëguar që nga njeriu Neandertal dhe që daton mbi 50 mijë vjet më parë. Ekspertët vunë re se ishin pikërisht shkaqe gjenetike ato që përcaktuan edhe ashpërsinë e infektimit në zona caktuara dhe njerëz të caktuar.
Sipas studimit, dikur ky gen e kishte mbrojtur njeriun e Neandertalit nga sëmundjet, por tashmë shkakton tepricë të përgjigjes imune duke e ekspozuar trupin ndaj infeksioneve.
Në studim u morën rreth 10 mijë njerëz nga Bergamo, një nga zonat më të goditura nga pandemia në Itali. Për 1200 prej tyre u kryen analizat e ADN-së të ndarë sipas mënyrës se si kishin kaluar sëmundjen.
Ata që ishin sëmurur rëndë konfirmuan se kishin familjarë që humbën jetën ndryshe nga ata që e kaluan më lehtë sëmundjen. Ekspertët vunë re se personat që kishin genin e njeriut të Neandartalit ishin 2 herë më të rrezikuar të kalonin në pneumoni dhe 3 herë më të rrezikuar për kaluar në terapi intensive.
Tv Klan