Osteoartriti i gjurit është sëmundja degjenerative e kyçeve, e cila klinikisht manifestohet me dhimbje, deformim dhe paaftësi për të realizuar aktivitetin e përditshëm.

Osteoartriti është forma më e shpeshtë e artriteve dhe vjen si pasojë e dëmtimit të kartilagos, që është një substancë e butë mbrojtëse, e cila formon nyje ku mundësohet kryerja e lëvizjeve.

Një studim i fundit ka zbuluar se njerëzit që janë të angazhuar në një lloj pune specifike, kanë më shumë mundësi se të tjerët të vuajnë nga osteoartriti i gjurit. Këto përfshijnë njerëz që bëjnë shumë ngjitje, ngritje të peshave të rënda, gjunjëzim të zgjatur dhe qëndrim në këmbë.

Osteoartriti i gjurit është një gjendje shumë e përhapur kronike, i cili çon në humbjen e aftësisë për të punuar.

Sipas studimit, shanset më të mëdha për t’u prekur nga kjo sëmundje janë tek individët që punojnë si minatorë, pastrues, fermerë, ndërtues, punëtorë të metaleve dhe punonjës të shërbimit.

Në bazë të hulumtimit rezulton se punëtorët bujqësorë kanë 64 përqind më shumë mundësi, për të zhvilluar osteoartritin në gju, ndërsa ndërtuesit 63 përqind.

Autori kryesor i studimit Xia Wang nga Universiteti i Sidneit u shpreh: Ky hulumtim identifikon njerëzit që shpesh përfshihen në aktivitete specifike të punës, të cilët mund të jenë të ndjeshëm ndaj osteoartritit të gjurit./tvklan.al