Studioi në privat, përjashtohet nga konkurrimi për edukatore




Studioi në privat, përjashtohet nga konkurrimi për edukatore

21:25 24/06/2021

“Stop” udhëtoi drejt Gjakovës, sepse Vlora Deliu tregoi se i është mohuar e drejta për të konkurruar për një vend të lirë pune për edukatore kopshti që komuna Gjakovë zhvilloi në muajin Maj. Pretendimi për përjashtimin ishte se Vlora ka mbaruar studimet në universitet privat dhe sipas ligjit të arsimit të lartë në Kosovë, kjo kategori përjashtohet.

Në fakt ky ligj është rregulluar më vonë dhe barazvlerëson universitetin shtetëror me atë privat. Vlora Deliu ka kryer studimet Bacelor dhe Master në Kolegjin AAB në Prishtinë për edukatore.

“Fakulteti është i akredituar, është i licencuar nga Ministria e Arsimit. Në Komunën e Gjakovës dhe në Drejtorinë e Arsimit flitet për nenin 16 neni 5  e cila i mohon kolegjet private, të cilat kanë të drejtë studimi të jenë pjesë e konkurseve që hapen në Gjakovë. Ky është problem madhor i të gjithë studentëve në Kolegjin AAB në Kosovë. Nuk është problem i imi. Ky nen nuk është në fuqi, por përcakton për shkollim fillor, jo për edukatore, për të cilën unë kam përfunduar studimet. Për shkollimin tim kërkoheshin 300 kredite sipas udhëzimeve administrative. Unë i përmbush kriteret, por has në vështirësi dhe komplikime të tjera për çdo konkurs që hapet në Kosovë”, tha e reja.  

Drejtori i Inspektoratit të Arsimit në Gjakovë, Gjergj Gojani tha se Komuna Gjakovë nuk di të lexojë mirë ligjet, pasi neni që i referohet është për mësuesit dhe jo për edukatorët.

“Haptaz është parë që është shkel e drejta e tyre. Në të gjitha komunat pranohen këta. Vetëm në Gjakovë nuk pranohen ata. Zyrtarët e DKA-së nuk i kanë shfletuar ligjet sepse ka dallim edukatorja me mësimdhënie. Aty është mësimdhënie, shkolla me kopësht ka dallim. E vetmja është Komuna e Gjakovës që nuk përfshin në marrëdhënie pune kandidatë të diplomuar me 240 kredite në kolegjin AAB. Fakulteti i Shkencave Sociale, fakultet i cili nuk ekziston në shtet. Po të mos ishte kështu, Fakulteti nuk do të kishte 20 mijë studentë. Vetëm Komuna e Gjakovës vepron në këtë mënyrë”, tha ai.

Avokati i Vlorës, i cili ka ngritur edhe një padi për këtë padrejtësi tregoi se në raste të ngjashme, gjykata u ka dhënë të drejtë studentëve.

“Zonjë Vlora e kanë trajtuar se nuk plotëson kushtet pasi ka përfunduar universitet privat, gjë që mendojmë edhe është faktikisht ashtu është që është trajtim i pabarabartë dhe diskriminues në raport me kandidatët e tjerë pasi fakultetet private si ato publike akreditohen çdo vit. Ka vendim të ministrit dhe udhëzim administrativ që barazvlerëson fakultetet private me ato publike. Ne jemi detyruar që t’i drejtohemi gjykatës me padi. Objekti i kërkesës është që të rihapet konkursi dhe paditësja të trajtohet në mënyrë të barabartë me kandidatët e tjerë. Kemi pasur edhe më herët rast kur janë paraqitur palë me të njëjtin problematik dhe palët e kanë fituar kontestin dhe është shpallur konkursi”, tha avokati. /tvklan.al





Të ngjashme