Studioja që ofron seanca të shkurtra gjumi

Studioja që ofron seanca të shkurtra gjumi

08:20 14/10/2019

Për disa njerëz është e pamundur që bëjnë tetë orë gjumë.

Por ndoshta një sy gjumë i shpejtë është i mundur. Studimet e reja sugjerojnë se gjumi i shkurtër mund të ulë rrezikun nga sëmundjet “kardiovaskulare”, si infarktet dhe goditjet në tru deri në 48 për qind. Korespondetja e Zërit të Amerikës, Karina Bafradjan vizitoi një kompani të re që beson në vlerën e gjumi të shkurtër ose dremitje.

Mbi një e treta e amerikanëve nuk bëjnë gjumë të mjaftueshëm, tregon një studimi të ri nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Por “Studio Recharj Power Nap” në kryeqytetin amerikan po përpiqet ta zgjidhë këtë problem.

“Gjumi i shkurtër është kur njeriu është në një gjendje mes zgjimit me fjetjes dhe ulet aktiviteti i valëve të trurit, çfarë e ndihmon njeriun të pushojë. Nuk është e nevojshme zhytja në gjumë, por kalimi në gjendjen e pushimit, që e bën njeriun të ndjehet mirë, më produktiv apo më energjik,” – thotë Maria Jose Hernandez nga kompania Recharj Power Nap Studio.

Ideja për të dremitur, ose një gjumë më të shkurtër se gjysëm ore, erdhi në vitet 1990-të nga psikologu amerikan James Maas. Studimi i tij sugjeronte se gjumi i shkurtuar nuk do të thotë të jesh në gjumë të thellë dhe në një mjedis të errët të qetë, apo temperaturë të ulët.

“Ndjehem shumë më mirë dhe komunikoj më mirë me njerëzit kur vij këtu. Nëse nuk vij për një javë ose dy, mund të them që gjendja ime ndryshon sërish duke kaluar në stres”, thotë Marcelle Folk, kliente e “Power Nap Studio”.

“Gjithmonë më ka pëlqyer meditimi dhe relaksimi, por tani kam një bebe 5-muajshe në shtëpi dhe ky është shansi im në mes të ditës së punës për një sy gjumë shtesë dhe pak më shumë relaksim”, thotë Lisa, kliente e Power Nap Studio

Gjithnjë e më shumë kompani po vlerësojnë rëndësinë e një gjumi të shkurtër, ndërsa kompani si Google dhe Amazon, po instalojnë kapsula speciale gjumi për punonjësit e tyre. Megjithatë, studiot e plota të gjumit vazhdojnë të jenë një fenomen më i rrallë.

Studiuesit e gjumit dhe meditimit besojnë se ky koncept së shpejti do të fitojë zemrat dhe mendjet e shumë njerëzve në të gjithë botën.

“Mendoj se ndërsa përparojmë, ne do të përqendrohemi më shumë si një shoqëri në sigurimin e hapësirave për shëndet, mirëqenie, pushim, relaksim dhe sigurimin e një hapësire për një sy gjumë gjatë ditës”, thotë Jackie Krakowski, instruktore e jogës dhe meditimit në kompaninë “Recharj Power Nap Studio”.

Kjo studio ka më shumë se tre vjet që është hapur, dhe çmimi për një seancë gjumi prej 20 minutash kushton 9 dollarë. Por për njerëzit që e frekuentojnë atë, është një çmim i ulët krahasuar me përfitimet shëndetësore duke ofruar një ripërtëritje të shpejtë dhe një perspektivë më të mirë./VOA




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi