Sinoptikanët: Të dielën dhe të hënën situata më problematike

Moti i keq dhe stuhitë që kanë përfshirë vendin gjatë natës së kaluar kanë shkaktuar dëme të shumta në disa qytete të vendit. Kryeqyteti është përfshirë nga erat e forta dhe reshjet e shiut, dhe për pasojë janë dëmtuar disa pemë që kanë bllokuar rrugët për disa orë.

Në Shkodër janë rrëzuar pemët duke bllokuar rrugët, ndërsa janë dëmtuar edhe disa automjete që kanë qenë të parkuara në rrugë.

Si pasojë e motit të keq dhe erës së fortë kanë mbetur pa energji elektrike disa zona në qarkun e Lezhës. Gjatë natës janë dëmtuar fidrat që furnizojnë me energji elektrike fshatrat e Shënkollit dhe ata të Gjadrit.

Moti i keq shoqëruar me erë të fortë dhe det me dallgë deri në 3 metra, ka krijuar vështirësi në lundrimin e mjeteve detare në Portin e Durrësit. Tragetet e linjës Durrës-Bari janë nisur me 10 orë vonesë, ndërsa anijet tregtare si dhe peshkarexhat janë njoftuar të marrin të gjitha masat e nevojshme për parandaluar çdo rrezik.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes deri tani situata nuk paraqitet problematike. Por është kërkuar që prefekturat të marrin masa për ditët në vijim

Sipas sinoptikanëve, e shtuna deri të dielën pasdite sjell një përmirësim të motit me shira lokal, por ato do të rikthehen me intesitet të dielën pasdite deri të hënën në mëngjes duek shkaktuar edhe përmbytje.

Era me shpejtësi deri në 70 km/orë do të jetë problematike të shtunën, të dielën pasdite deri të hënën në mëngjes.

Situatën me përmbytje e paralajmëroi një ditë më parë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile e cila u dërgoi mbrëmjen e së premtes një shkresë 5 Prefekturave, Shkodrës, Lezhës, Fierit, Vlorës dhe Gjirokastrës.

Tv Klan