Drejt normalizimit edhe situata me zjarret

Stuhi të forta ere përfshinë mbrëmjen e së martës bregdetin shqiptar. Moti i pazakontë në këto ditë përvëluese zgjati deri në orët e para të mëngjesit.

Plazhet e Vlorës, ai i Dhërmiut dhe Himarës qenë më të prekurit, ku era e fortë dhe reshjet e shiut u shoqëruan edhe me dallgë të forta në det.

Stuhia e pazakontë që shkatërroi nga çadrat e shezlonët, çoi deri në mbylljen e bizneseve në bregdet, duke i bërë pushuesit që t’i braktisnin gjatë paradites plazhet.

Edhe Durrësi u zgjua pa pushues këtë të mërkurë, ku si pasojë e stuhisë dhe dallgëve të forta plazhet ishin bosh.

Ndërkaq edhe policia kufitare njoftoi bizneset private që operojnë me mjete lundruese në det për arsye turizmi, të pezullojnë punën e tyre deri në një urdhër të dytë për shkak të motit të paqëndrueshëm.

Por stuhia që goditi në orët e para të mëngjesit vendin tonë nga ana tjetër ja doli të shuajë disa vatra zjarri, aktive prej një jave.

Në pyjet e Semanit në Fier, situata sipas Ministrisë së Mbrojtjes është drejt normalizimit, por me pushimin e reshjeve të shiut në Llogara njoftohet për të tjera vatra zjarri.

Tv Klan