I nxehti ekstrem pritet të intensifikohet më shumë në Greqi, juglindja e SHBA përfshihet nga përmbytje

Për të dytën rradhazi, stuhitë e fuqishme përfshinë sërish pjesën veriore të Italisë. Breshëri goditi rajonin e Lombardisë pas temperaturave përvëluese në të gjithë vendin.

110 persona kanë mbetur të plagosur kryesisht në verilindjen e Italisë veçanërisht në Veneto, aty ku dëmet janë edhe më të mëdha. Një stuhi e fortë breshëri goditi zonën e Mantovës duke dëmtuar makina, xhama si dhe të mbjella në disa fshatra.

Ndryshe nga pjesa veriore, Roma si dhe jugu i Italisë vijojnë të digjen nga temperatura përvëluese. Turistët dhe banorët e Romës shfrytëzuan shatërvanët e famshëm të qytetit teksa temperaturat kaluan 40 gradë Celsius.

23 qytete mbeten ende nën alarm të kuq pa asnjë shenjë lehtësimi nga vala e nxehtësisë ekstreme dhe duke sjellë paralajmërime për një rrezik në rritje të vdekjeve.

Vala e të nxehtit në Greqi pritet të intesifikohet edhe më shumë gjatë fundjavës. Ajo pritet të kulmojë këtë të premte dhe vlerat termike do të kalojnë pragun e 40 gradëve edhe përgjatë fundjavës duke shtuar rrezikun për zjarre.

Vala e të nxehtit ekstrem i ka lënë vendin përmbytjeve në disa shtete në SHBA. Banorët e Kentakit perëndimor përdorën kajakë për t’u evakuuar për shkak të përmbytjeve.

Përmbytjet e mëdha i detyruan banorët të gjenin mënyra të tjera lëvizjeje pasi lagje të tëra në Kentaki u mbuluan nga uji. 90,000 shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike pasi stuhia rrëzoi linjat e energjisë dhe pemët në të gjithë zonën.

Përmbytje të fuqishme u rregjistruan gjithashtu edhe në Brazil si dhe në pjesën lindore të Kinës, të cilat kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Klan News