Pjesëmarrja e pilotëve dhe një delegacioni izraelit në paradën ushtarake që shënon 23 vjetorin e operacionit “Stuhia” në Kroaci ka hapur polemika të forta mes Serbisë dhe Izraelit.

Ceremonia ku morën pjesë krerët më të lartë të shtetit përkujtonte mësymjen e ushtrisë kroate në vitit 1995, në zonat e banuara nga serbët pranë Kninit, gjatë të cilit u vranë  2500 serbë dhe u dëbuan nga shtëpitë 250 mijë të tjerë.

Përmes një deklarate për shtyp, ambasadori serb në Izrael Milutin Stanojeviç shprehu zhgënjimin e thellë për pjesëmarrjen e pilotëve dhe avionëve izraelitë në paradë. Ai e konsideroi operacionin e 1995-ës si eksodin më të madh te serbeve prej luftës së dytë botërore.

Por në reagimin e saj ambasada izraelite në Beograd sqaroi se pjesëmarrja e pilotëve izraelitë nuk kishte motive politike. Sipas selisë diplomatike izraelite, pilotët shoqëronin avionët që Kroacia bleu nga Izraeli më herët gjatë këtij viti. Bëhet fjalë për kontratën me vlerë 750 milionë Euro të nënshkruar në Mars për blerjen nga Kroacia të 12 avionëve bombardues F-16 të ushtrisë izraelite.

Ambasada izraelite tha se nuk ka asnjë ndryshim të politikës miqësore mes Izraelit dhe Serbisë dhe se miqësia e fortë mes dy vendeve nuk do të rrezikohet asnjëherë.

Tv Klan