Kalifornia në gjendje emergjence, përgatitje me furnizime ushqimore, ujë e ndihma të tjera

Stuhia tropikale “Hilary” u zhvendos dhe goditi të dielën bregdetin meksikan Baja. Stuhia nuk kishte më forcën e një uragani kur preku tokën, por meteorologët vazhdojnë ta konsiderojnë me rrezik për jetën ndërsa pritet të shkaktojë përmbytje në mbarë rajonin perëndimor të Shteteve të Bashkuara.

Paralajmërime për përmbytje dhe stuhi tropikale u dhanë përgjatë gjithë bregut të Kalifornisë Jugore, që nga bregdeti i Paqësorit deri në zonat e brendshme malore dhe të shkretëtirës, madje deri në veri në Oregon dhe Ajdaho.

“Hilary” pritej të vazhdonte me forcën e stuhisë tropikale deri në Nevadën Qendrore në orët e para të së hënës, kur pritet edhe të fillojë të qetësohet.

Në Shtetet e Bashkuara, stuhia tashmë penguar fluturimet dhe ndërprerë veprimtaritë sportive. Vetë Kalifornia është tashmë në gjendje emergjence dhe janë përgatitur furnizime ushqimore, ujë të pijshëm dhe ndihma të tjera.

Urdhra evakuimi janë dhënë për banorët dhe pushuesit në ishullin “Santa Catalina”, si dhe për disa komunitete malore në qarkun San Bernardino.

Autoritetet në qytetin Los Anxhelos u përpoqën të largojnë të pastrehët nga rrugët, si dhe u mbyllën të gjitha plazhet në San Diego.

Ndërkohë në Oqeanin Atlantik është formuar një tjetër stuhi. Ajo u pagëzua të dielën si stuhia tropikale “Emily”, por vazhdon të jetë larg tokës dhe lëviz në oqean drejt perëndimit.

Klan News