Në ishullin Evia, rritja e nivelit të ujit ka shkaktuar përmbytje masive

Të paktën pesë persona janë mbytur në Evia të Greqisë, pas një stuhie që goditi ishullin dhe reshjeve të dendura që sollën rritjen e nivelit të ujërave në zonë. Shumë persona janë të bllokuar në shtëpitë dhe makinat e tyre. Të tjerë janë ngjitur në çatitë e shtëpive të tyre, madje disa të kapur në befasi nga përmbytja e papritur në rrugë, janë ngjitur në ullinj. 

Ndër të vdekurit janë tre të moshuar 75, 85 dhe 86 vjeç, një 39-vjeçar dhe një foshnje 8 muajshe kanë humbur jetën. Gjithashtu raportohen edhe dy të humbur.

Grupet e shpëtimit kanë regjistruar mbi 3000 shtëpi të përmbytura, ndërsa ka ende banorë që po evakuohen me ndihmën e helikopterit, pasi ndodhen të izoluar në tarracat e shtëpive, të rrethuara nga uji që ka përmbytur çdo gjë.

Në operacionin e shpëtimit që ende vazhdon për banorët e tjerë në disa fshatra dhe komuna te zonës së Evias dhe Halkidhes marrin pjesë 83 zjarrfikës me 31 mjete, tre barka dhe një helikopter Super Puma.

Një pjesë e madhe e rrugëve dytësore janë të përmbytura, ndërsa në disa komuna është ndërprerë energjia elektrike.

Klan Plus