10 zyrtarë dhe dy qytetarë janë arrestuar gjatë ditës së djeshme në një aksion të gjerë të Policisë së Kosovës, të shtrirë njëkohësisht në disa lokacione, nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale që ndërlidhen me keqpërdorimin e subvencioneve bujqësore.

Policia, në raportin 24 orësh, ka treguar se çka saktësisht ka gjetur në shtëpitë dhe zyret e të arrestuarve dje në këtë aksion të njohur si “Subvencioni 2021”.

“Në bazë të provave janë bërë bastisje në disa zyre dhe vendbanime të personave ku janë konfiskuar:  433,160.00 (katërqind e tridhjetë e tre mijë e njëqind e gjashtëdhjetë) euro, 600 (gjashtëqind) dollar, 200 (dyqind) franga, 275 (dyqind e shtatëdhjetë e pesë) lira turke, 15 (pesëmbëdhjetë) telefona,  8 (tetë) vetura, 1 (një) kompjuter, 5 (pesë) armë, 1 (një) USB dhe 1 (një) vulë”.

Me urdhër të prokurorit njëmbëdhjetë zyrtarët e arrestuar janë dërguar në mbajtje 48 orë, ndërsa njëri nga ta është liruar në procedurë të rregullt. Rasti është duke u hetuar.

Klan Kosova