Fonde për hapjen e biznesit edhe për individët që vetëpunësohen

5 mijë individë të cilët kanë dalë të papunë do të trajtohen nga skemat e hapura nga qeveria për nxitjen e punësimit.

Të gjithë bizneset, të cilët janë detyruar të largojnë nga puna punonjësit gjatë periudhës së pandemisë së Covid-19, mund t’i rimarrin ata në punë dhe të përfitojnë pagesën e gjysmës së muajve  të punës nga Agjencia e Punësimit dhe Aftësimit Profesional dhe nëse kontrata e punësimit do të jetë për 1 vit, qeveria merr përsipër të paguajë sigurimet shoqërore.

Aplikimi duhet të bëhet nga biznesi në portalin e-albania dhe ai mund të zgjedhë një ish-punonjës ose një individ tjetër të regjistruar nga Shërbimi i Punësimit.

Së shpejti Agjencia e Punësimit dhe Aftësimit Profesional do të nisë mbështetjen edhe të sipërmarrjeve të reja të të vetëpunësuarve, duke dhënë subvencione për hapjen e një biznesi të ri.

Sipas Institutit të Statistikave gjatë periudhës së mbylljes së aktivitetit ekonomik 50 mijë individë humbën vendin e punës, ndërsa në bazë të të dhënave dytësore nga sigurimet shoqërore, ky numër arriti të amortizohej gjatë periudhës së sezonit turistik.

Pavarësisht kësaj, mbetet sfidë që gjatë periudhës së pjesës të mbetur të vitit të ruhen vendet e punës në sektorët që u prekën më shumë nga kriza.

Tv Klan