Sudani është i gatshëm të normalizojë marrëdhëniet me Izraelin, duke u bërë kështu vendi i radhës i Ligës Arabe që vendosin marrëdhënie diplomatike me Izraelin.

Kjo marrëveshje është ndërmjetësuar nga SHBA, dhe në këmbim, Presidenti amerikan Donald Trump ka hequr Sudanin nga lista e shteteve që sponsorizojnë terrorizmin dhe ka zhbllokuar fondet për ndihmë ekonomike dhe investim.

Gjatë njoftimit të lajmit për normalizim të marrëdhënieve, Trump tha se “të paktën pesë” vende Arabe kërkonin paqe me Izraelin.

Marrëveshja e Sudanit vjen disa javë pasi shtete si Emiratet e Bashkuara Arabe apo Bahrani vendosën marrëdhënie diplomatike më Izraelin.

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe u shpreh se e mirëpriti vendimin e Sudanit dhe e konsideroi “një hap të rëndësishëm në rritjen e sigurisë dhe prosperitetit në rajon”.

Përmes një deklarate të përbashkët Sudan-Izrael-SHBA, bënë me dije se delegacionet e tre vendeve do të takohen javën e ardhshme.

“Liderët ranë dakort në normalizimin e marrdhënieve mes Sudanit dhe Izraelit dhe ti japin fund gjendjes s luftës midis kombeve”, thuhej në deklaratë.

Pak pasi Presidenti Trump vendosi të heqë Sudanin nga lista e shteteve sponsorizuse të terrorizmit, reporterët dhe gazetarët u ftuan në Zyrën Ovale për të ndjekur telefonatën e Presidentit me liderët e Sudanit dhe Izraelit.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u shpreh se marrëveshja ishte “një përparim drejt paqes dhe fillimi i një epoke të re”.

Kryeministri i Sudanit, Abdulla Hamdok falenderoi Presidentin Trump për heqjen e shtetit të tij nga lista e terrorizmit dhe tha se qeveria sudaneze po punonte “për marrëdhëniet ndërkombëtare që i shërbenin popullit të tij”.

Gjithashtu gjatë telefonatës, Presidenti Trump i pyeti dy liderët: “A mendoni se Joe i përgjumur do ta arrinte këtë marrëveshje? Unë nuk mendoj kështu”, tha ai duke ju referuar kundërshtarit të tij politik për zgjedhjet e 3 Nëntorit, demokratit Joe Biden. Kjo lëvizje e Trump konsiderohet si fitore e politikës së jashtme përpara zgjedhjeve të Nëntorit. /tvklan.al