Turqia u mbyll derën e aleancës. Lavrov zbut tonet

Suedia dhe Finlanda do të aplikojnë në bllok për të qenë anëtarë të NATO-s. Për të bashkërenduar veprimet për dërgimin e aplikimit të përbashkët pranë aleancës që pritet të ndodhë këtë javë, presidenti finlandez Sauli Ninisto nisi këtë të Martë një vizitë zyrtare 2-ditore në Suedinë fqinje, pasi të Hënën parlamentet e dy vendeve miratuan planet e qeverive respektive për aplikimin në NATO.

Rruga e tyre drejt anëtarësimit të plotë në aleancë është e bllokuar për momentin prej vetos së paralajmëruar të Turqisë. Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan përjashtoi mundësinë e çdo negociate për ndryshimin e qëndrimit ndaj dy vendeve. Sipas tij, Suedia dhe Finlanda duhet të reshtin së qeni një strehë e sigurtë për përfaqësuesit e grupimeve politike kurde që Ankaraja i konsideron terroriste.

Ndërsa ministri i jashtëm rus Sergei Lavorv tha këtë të Martë se anëtarësimi i këtyre dy vendeve në NATO nuk bën shumë dallim. Sipas tij, Finlanda dhe Suedia kanë qenë gjithmonë të angazhuara në manovra të përbashkëta ushtarake me NATO-n. Lavrov përsëriti qëndrimin e shprehur edhe nga Vladimir Putin se kundërpërgjigja e Rusisë do të varet nga kërcënimi i ri që mund të përbëjë, dërgimi i infrastrukturës ushtarake të NATO-n në Finlandën fqinje.

Tv Klan