Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka njoftuar sot se Suedia do të dhurojë 1 milionë doza vaksinash për COVAX. Drejtori i OBSH tha se  vaksinat do të përdoren për të shpëtuar jetën e njerëzve që janë në rrezik nga Covid-19 në vendet e varfra.

Njoftimi i Suedisë se do të dhurojë 1 milion doza të vaksinave kundër Covid-19 për COVAX është një gjest i shkëlqyer që duhet të përsëritet nga qeveritë në të gjithë botën për të përshpejtuar përhapjen e drejtë të vaksinave në nivel global,” u shpreh Tedros.

Po ashtu ai bëri me dije se COVAX ka nevojë urgjente për 20 milionë doza gjatë tremujorit të dytë të vitit 2021 për të mbuluar ndërprerjet në furnizim të shkaktuara nga kërkesat e rritura për vaksina në Indi, për shkak të situatës së rënduar nga virusi.

Ai vlerësoi gjestin e qeverisë së Suedisë dhe tha se dhurimi i vaksinave vjen në një kohë kur bota ka shumë nevojë për të vaksinuar qytetarët.

OBSH dhe qeveritë e disa vendeve po përpiqen që të grumbullojnë sa më shumë vaksina për t’i shpërndarë tek vendet e varfra me anë të mekanizmit COVAX./tvklan.al