Kryeministri finlandez tha se do të shpallë vendimin më 12 Maj, pas një diskutimi në qeveri dhe me partitë politike

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö deklaroi gjatë një konference për shtyp se do të shpallë vendimin në lidhje me aplikimin për anëtarësim në NATO më 12 Maj.

Niinistö vuri në dukje se vendimi përfundimtar do të merrej pas takimit me qeverinë, partitë politike dhe organizatat joqeveritare. Presidenti i Finladnës deklaroi se përdorimi i ashpër i forcës ushtarake nga Rusia në Ukrainë ka shkaktuar shqetësime.

Sipas gazetës suedeze “Expressen”, Suedia dhe Finlanda do të aplikojnë për anëtarësim në NATO në datat 17-21 Maj. Kryeministri finlandez kërkoi gjithashtu sanksione më efektive kundër importeve të energjisë nga Rusia.

Sipas tij, Finlanda është e gatshme të marrë në konsideratë masa të reja të përbashkëta të BE-së për të pakësuar të ardhurat e Rusisë nga eksportet. Finlanda ndan një kufi prej 1300 kilometrash me Rusinë. Anketat në Finlandë tregojnë se 68 për qind e mbështesin anëtarësimin në NATO dhe vetëm 12 për qind janë kundër.

Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson tha se ka si përfitime, ashtu edhe humbje, nga anëtarësimi në NATO, duke shtuar se përfitimi kryesor është Neni 5 i aleancës që e konsideron sulmin ndaj një vendi anëtar si sulm ndaj të gjitha vendeve. Suedia, e cila ka qenë neutrale në Luftën e Dytë Botërore, nuk ka zhvilluar luftë në 200 vitet e fundit.

Rusia i ka paralajmëruar të dy vendet kundër anëtarësimit në NATO. Nëse këto vende anëtarësohen, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, Rusia “do të ribalancojë situatën” me masat e veta.

Rusia ka thënë se do të vendosë armë bërthamore dhe raketa hipersonike në enklavën e saj Baltike të Kaliningradit, nëse Finlanda dhe Suedia vendosin të anëtarësohen në NATO.

Klan News