Golat e Rolfo dhe Kosovare Asllanit i dhanë fitoren nordikeve kundër Australisë

Goditja potente e Kosovare Asllanit në pjesën e dytë të finales së vogël kundër Australisë, vulosi fitoren për Suedinë që i dha kombëtares së femrave vendin e tretë në Kupën e Botës.

Për kombëtaren nordike kjo është medalja e dytë e bronxtë radhazi në botërorin e femrave.

Pavarësisht humbjes, përfaqësuesja australiane bëri në këtë edicion paraqitjen më të mirë në një Kupë Bote.

Në stadiumin “Sankorp” të Brisbejnit ishin të pranishëm 50 mijë tifozë për të mbështetur organizatoret e eventit.

Suedia kaloi në avantazh në minutën e 30’ të lojës, pas një penalltie të akorduar nga sistemi VAR.

Fridolina Rolfos u tregua e saktë nga pika e bardhë e 11 metërshit. Në të 62’, Asllani dyfishoi rezultatin.

Suedia dominoi në pjesën më të madhe të sfidës, ndërsa portierja Zekira Musoviç bëri një tjetër performancë mjaft të mirë, duke e ruajtur portën e paprekur.

Përfaqësuesja suedeze shfrytëzoi eksperiencën për të tilla ndeshje, ndërsa në të kaluarën ka arritur në gjysmëfinale në pesë raste, por vetëm një herë në 2003 shkoi në finale ku u mund nga Gjermania.

Të dielën, kampionet e Europës Anglia do të përballen me Spanjën në Sidnej për të përcaktuar fituesen e Kupës së Botës.

Klan News