Pushimet në det janë nga më të preferuarat, por jo të gjithë e kanë mundësinë për ti shijuar. Për personat me aftësi të kufizuara, këto pushime bëhen të pamundura për shkak të infrastrukturës së munguar në vendin tonë. Është punuar shumë përsa i përket përfshirjes së tyre në punë të ndryshme dhe aktivitete, por mungesa e infrastrukturës në hotele apo resorte të ndryshme në vend, është një problematike po aq e rëndësishme që kërkon zgjidhje.

Rudina: Suela ti ke pasur mundësi të lahesh në det, në Shqipëri, vitet e fundit?

Suela Lala: Jo, por jo vetëm unë, askush nuk e ka. Vetëm nëse ke ndihmë nga shumë njerëz dhe kjo bëhet pastaj edhe içik kështu groteske dhe qesharake. Nuk është as e denjë, por nuk ka, nuk ka…

Rudina: Që të lahesh në det duhet të udhëtosh jashtë shtetit, që të gjesh një vend që të mund të shkosh të hysh në det?

Suela Lala: Unë nuk e kam bërë këtë gjë Rudina, asnjëherë, kështu që nuk po të them se kam eksperiencë, sepse thjeshtë nuk është e mundur dhe ti heq dorë dhe duket nga këto gjërat thuajse avangardë për Shqipërinë, të pamundura madje do të thosha.

Rudina: Por që po të kishte këto elementë të infrastrukturës, për ty do të ishte shumë e thjeshtë të laheshe në det si gjithë të tjerët?

Suela Lala: Jo vetëm kaq, por këto që thotë Genti, platformat e drunjta, me të cilat ti mund t’i afrohesh detit sepse një karrocë e tillë nuk lëviz dot në rërë. Kështu që për të vajtur sa më pranë detit duhet të kesh nga këto rrugicat e drunjta, të cilat nuk ekzistojnë. Dhe përveç kësaj, duhet që të gjithë këto “Lungo Mare”-t, apo trotuaret buzë detit të jenë të aksesueshme, strukturat hoteliere të kenë rampat dhe të jenë të aksesueshme. Mos të ndalemi tek rampat, ato janë vetëm një element. /tvklan.al