Sukses apo kumar, a ia vlejti strategjia e Suedisë për imunitetin e tufës?


Sukses apo kumar, a ia vlejti strategjia e Suedisë për imunitetin e tufës?

22:03 20/08/2020

Pak vende guxuan të përdorin të njëjtën strategji si ajo e Suedisë për pandeminë. Qasja e shtetit skandinav ka qenë shumë liberale ndryshe nga shtetet fqinje që imponuan karantinë të fortë. Në vend të mbylljes me kufizime, Suedia vendosi që të mbajë hapur shkollat dhe bizneset edhe pse bota ishte në mesin e pandemisë.

Mirëpo ky model është vënë nën kritika të mëdha, sidomos pas disa email-eve të drejtuesit të epidemiologjisë në vend që u bënë publike ditët e fundit. Në Mars, Ander Tgnell ka pyetur nëse do të ishte e pranueshme një numër i lartë viktimash tek të moshuarit nëse kjo gjë shpejtonte imunitetin e tufës.

“Një pikë do të jetë mbajtja hapur e shkollave për të arritur imunitetin e tufës shpejt”, shkruante Tegnell.

Ander Tgnell

Vdekshmëria në Suedi është në nivelet më të këqija krahasuar me vendet e tjera të botës. Më shumë se 5 700 persona kanë humbur jetën që prej fillimit të këtij viti. Autoritetet kanë deklaruar se kanë dështuar në mbajtjen larg të virusit nga shtëpitë e përkujdesjes. Qeveria ka kërkuar një hetim për këtë.

Pavarësisht se nuk u morën masa drastike, jeta ka ndryshuar për suedezët. Rregullat për mos grumbullimet, udhëtimet e panevojshme, puna nga shtëpia vijojnë të qëndrojnë edhe sot në Suedi. Mirëpo strategjia që vendi të qëndrojë hapur ka kundërshtarë, por edhe mbështetës.

“Kemi patur një shoqëri të hapur, bazuar në rekomandime. Nuk kemi pasur masa drastike, por është e qartë që kjo ka funksionuar”, tha profesori Joakim Dillner nga Instituti Karolinska në Stockholm.

Ai ka pranuar që vijon të ketë akoma debat mbi strategjinë që u zgjodh nga qeveria. Sipas tij mos testimi i popullsisë dhe i punonjësve të shëndetësisë ka qenë një gabim.

Më herët gjatë këtij viti qeveria suedeze insistoi tek qëndrimi i saj dhe natura e pandemisë duke deklaruar se “kemi të bëjmë me një maratonë dhe jo garë shpejtësie”. Kryeministri Stefan Löfven tha se ata besonin tek ndjenja e përgjegjësisë së qytetarëve për të siguruar që sistemi i shëndetësisë nuk do të mbingarkohej.

Sipas përllogaritjeve të asaj kohe mendohej se 40% përqind e popullsisë do të imunizohej që në Maj. Mirëpo tashmë jemi në Gusht dhe kjo nuk është arritur ende.

Një studim i bërë nga një institut në Britani zbuloi se vetëm 15-20% e kryeqytetit suedez kishte zhvilluar antitrupa. Kjo është shumë larg teorisë së imunitetit të tufës që përcakton se duhet të imunizohet 60% e popullsisë.

“Ishte një ide naive. Ata kanë pasur një vdekshmëri 10 herë më të madhe për 1 milionë banorë bazuar në popullsitë e vendeve fqinje”, tha David Goldsmith që ka qenë një kritik i madh i qasjes suedeze.

Ai shtoi se antitrupat nuk u gjetën në masë të madhe as tek pacientët asimptomatikë duke sugjeruar që edhe ata mund të mos jenë imunë ndaj sëmundjes.

Mediat flasin edhe për pasojat në ekonomi. Ajo u tkurr me 8.6 përqind gjatë periudhës Prill-Qershor, performanca më e keqe në dekada. Megjithatë krahasuar me vendet e tjera nordike apo ato të Europës, Suedia nuk është goditur dhe aq fort.

Profesori Andreas Ortmann, ekspert në sjelljet ekonomike tha se është shumë herët për të treguar nëse strategjia e Suedisë ka qenë sukses apo kumar i rrezikshëm. Ai beson se një prej fuqive të Suedisë është besimi tek forcat shëndetësore që  kanë qenë të forta dhe asnjëherë nuk janë lodhur që prej fillimit të pandemisë./tvklan.al





Të ngjashme