Ditën e enjte Blendi Fevziu u shfaq në emisionin e tij “Opinion” ndryshe nga herët e tjera. Me mëngët e përveshura, me çizme dhe kominoshe fermeri, Fevziu kishte zgjedhur të kalonte ditën në një nga fermat blegtorale të modernizuara nëpërmjet investimeve në teknologji të reja.

“Opinion” iu dedikua dhe një prej sektorëve më të rëndësishëm të bujqësisë dhe mbështetjes kolosale që ky sektor ka marrë nga Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural.

Drejtoresha Znj. Frida Krifca e cila gjithashtu kishte veshur kominoshet dhe çizmet shpjegoi me detaje mbështetjen që ky institucion ka ofruar për fermerët shqiptarë. Shifra financiare e kësaj mbështetje injektuar në vlerën e mbi 93 milion € për investime nën ombrellën e programit IPARD II, një bashkëpunim mes Bashkimit Europian dhe qeverisë shqiptare.

Një nga shumë shembujt e realitetit të ri teknologjik në bujqësi falë kësaj mbështetjeje ishte edhe ferma blegtorale ku Blendi Fevziu u shfaq duke asistuar makineritë e mjeljes së qumështit apo duke dhënë një dorë në pastrimin e ambientit ku strehohej gjëja e gjallë e asaj ferme.

Në vizionin e shprehur nga Znj. Frida Krifca, dimensioni themelor i kësaj mbështetje nga AZHBR ishte krijimi i modeleve të suksesshme të biznesit në bujqësi, fuqizimi i ekonomive lokale, por mbi të gjitha mbajtja e fermerit shqiptar të rrënjosur në tokën e tij, duke nxitur kështu edhe një këndvështrim të ri për suksesin ekonomik në Shqipëri.

Për hir të së vërtetës, investimet teknologjike në fermën e shfaqur në emision, bënë të mundur që edhe një profil si Blendi Fevziu t’i përvishej punës me kënaqësi duke shijuar çdo proces të saj.