Franca u kualifikua për herë të tretë në finalet e një botërori, dy vjet pasi luajti në finalet e Europianit, nën drejtimin e Didier Deshamp.

Është pikërisht Deshamp, i cili në Francë po merr meritat. Ai tashmë shihet si njeriu i kompeticioneve të mëdha.  I emëruar trajner i kombëtares në 2012, gara e tij e parë e madhe ishte botërori i Brazilit. Ai e çoi Francën deri në çerekfinale. Por skuadra e tij humbi me Gjermaninë 1-0.

Dy vjet më pas, për Kampionatin Europian që u luajt në Francë, blutë e Deshamp shkuan edhe më larg, deri në finale. Ndeshja shkoi me shtesa atje ku Eder shënoi golin e vetëm të fitores së Portugalisë.

Në Rusi, në kompeticionin e tij të tretë, përfaqësuesja franceze shkoi sërish në finale. Duket se Dashamp e ka bërë zakon t’i shkojë deri në fund garave duke zbukuruar me trofe të tjerë palmaresin e Francës.

Që kur ishte futbollist i kombëtares, me të cilën luajti 103 ndeshje, 54 si kapiten ai e çoi dy herë skuadrën drejt fitores, në botërorin e 1998 dhe europianin e vitit 2000.

49-vjeçari konsiderohet gjerësisht si ai që bashkoi Francën, duke fituar respektin e lojtarëve. Harmonia në skuadër është kushti i vendosur prej tij. Didier Deshamp mund të hyjë edhe më thellë në historinë e futbollit francez duke u bërë i treti që fiton kupën e botës si futbollist dhe si trajner pas Mario Zagallos së Brazilit dhe Franz Beckenbauer.

Tv Klan