Kjo video e publikuar në rrjetet sociale tregon momentin e sulmit me armë në një kampus të një shkolle për të rritur në qytetin Orebro, 200 kilometra në perëndim të Stokholmit. Një person i armatosur hyri brenda ambienteve duke shkaktuar të paktën 10 viktima. 15 persona u lënduan sipas mediave suedeze, ku 6 prej tyre u dërguan në spital dhe një prej tyre është në gjendje kritike.

Killeri i kësaj masakre u pa duke shëtitur nëpër korridoret e kampusit me armë në dorë. Një studente rrëfen e tronditur ngjarjen, teksa thotë se u përpoqën që të shpëtonin të plagosurit.

“Një djalë pranë meje u qëllua në shpatull, i rridhte shumë gjak. Pas meje pashë edhe tre persona në dysheme të gjakosur. Të gjithë u tronditën. Ata na thanë: “Ikni, Ikni!”


Autoritetet thanë se edhe agresori është në mesin e viktimave dhe se ai kishte qëlluar veten pak para ndërhyrjes së policisë. Shefi i policisë së Orebros në konferencën për shtyp konfirmoi se motivet e kësaj ngjarjeje janë ende të paqarta, ndërsa për momentin është përjashtuar lidhja e këtij akti me terrorizmin.

Sipas tij, autori rreth 35 vjeç, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur për momentin dyshohet se ka vepruar i vetëm, por nuk përjashtohet mundësia se mund të ketë pasur edhe bashkëpunëtorë. Kampusi shkollor “Risbergska” strehon persona të moshës mbi 20-vjeçare që ndjekin arsimin e lartë, por edhe emigrantë dhe fëmijë të mitur të shkollave të tjera.

Kryeministri i vendit Ulf Kristersson e dënoi ngjarjen dhe tha se ishte vrasja më brutale e masive në historinë e vendit. Suedia ka një histori të gjatë të sulmeve të armatosura në ambiente shkollore. 10 persona u vranë në 7 incidente të ngjashme në shkolla nga 2010 në 2022-n.

Tv Klan