4 persona janë plagosur në një “sulm frikacak” në ceremoninë përkujtimore të Luftës së Parë Botërore, në varrezat jo-myslimane në Arabinë Saudite.

Sipas Reuters, sulmi ka ndodhur kur disa delegacione diplomatike nga Bashkimi Evropian dhe vendet e tjera ishin të pranishme në ngjarjen e Ditës së Përkujtimit të organizuar nga ambasada Franceze.

Është bërë e ditur se të paktën katër persona janë plagosur në shpërthimin në të cilin u hodh një granatë mbi një mur dhe varreza. Mes të plagosurve përfshihen diplomatë dhe roje saudite.

Policia lokale po e trajton sulmin si të lidhur me terrorizmin dhe një zyrtar policor ka deklaruar se “ky sulm po hetohet si një sulm terrorist kundër personaliteteve të huaja”.

Ndërkohë, Franca u ka kërkuar qytetarëve të saj që jetojnë në Arabinë Saudite të kenë vigjilencë maksimale. Pasi, ky shpërthim ishte incidenti i dytë në dy javët e fundit dhe sulmi i parë me eksploziv prej vitesh, në përpjekje për të goditur të huajt në mbretërinë konservatore./tvklan.al