Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Milano, në veri të Italisë ku një person ka vdekur dhe të paktën katër të tjerë janë plagosur, disa prej tyre janë në gjendje mjaft të rëndë.

Një burrë sulmoi me thikë njerëzit në një qendër tregtare dhe si pasojë dyshohet se ka vdekur një punëtor i supermarketit, ndërsa sipas BBC, mes të lënduarve ka qenë edhe futbollisti i Pablo Mari, mbrojtësi i  Arsenalit, por që aktualisht është në huazim tek Monza.

Sipas Sky Sport, futbollisti është dërguar në spital menjëherë pas sulmit. 29-vjeçari është i vetëdijshëm. Menaxheri i Arsenalit, Mikel Arteta ka thënë se futbollisti është mirë dhe ka konfirmuar se ai ndodhet në spital.

Është në spital. Duket se është mirë. Tani do informohem mbi çfarë ka ndodhur”, tha Mikel Arteta.

Edhe klubi i Arsenalit ka reaguar: “U shokuam të gjithë kur dëgjuam lajmin e tmerrshëm për sulmin me thikë në Itali, i cili dërgoi disa njerëz në spital, përfshirë këtu qendërmbrojtësin tonë të huazuar Pablo Mari. Kemi kontaktuar me agjentin e Pablos, ai na konfirmoi se është në spital dhe se nuk është në gjendje të rëndë. Mendja na rri te Pablo dhe viktimat e tjera të këtij incidenti të tmerrshëm.

Sipas informacioneve të deritanishme motivi i sulmit nuk është i qartë, por thuhet se sulmuesi ka pasur probleme mendore. Ndërkohë policia ka ndaluar një 46-vjeçar si të dyshuar për këtë krim./tvklan.al