I sëmuri mendor plagos 5 persona dhe neutralizohet nga qytetarët

Ky është momenti kur 34-vjeçari Rudolf Nikollaj është kapur jashtë xhamisë së rrugës së Kavajës dhe mbahet nga disa qytetare, pasi kishte plagosur me thikë 5 persona.

Pamjet e regjistruara me celular tregojnë Rudolf Nikollajn, që mbahet me forcë në pritje të policisë.

Në këtë foto është 34 vjecari Rudolf Nikolla, i cili sulmoi me thikë 5 personat. Fatmirësisht të gjithë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ndodhi rreth orës 14 e 30 minuta të kësaj të hëne, kur i riu nga Klosi sulmoi fillimisht një punonjës picerie që ndodhej në rrugë dhe më pas hyri në xhaminë ‘Dine Hoxha’ ku goditi edhe 4 besimtarë të cilët ishin edhe pjesë e stafit të xhamisë.

Të plagosurit janë Donald Koçi, Saba Peposhi, Mariglen Konja, Kleon Jaupaj dhe Anri Tola, të moshave nga 22 deri në 34 vjeç. Ata u dërguan menjëherë në spital për ndihmë mjekësore, ndërsa kanë marrë plagë kryesisht në dorë dhe në këmbë.

Ngjarja u dyshua fillimisht për një akt terrorist. Pranë xhamisë mbërriti edhe drejtori i Policisë së Tiranës dhe ekspertë të anti-terrorit, por më pas është sqaruar se 34-vjeçari Rudolf Nikollaj vuante nga probleme mendore. Babai i tij ka konfirmuar se Rudolfi ka qenë i shtruar në spitalin psikiatrik me parë.

Për këtë ngjarje reagoi edhe kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, i cili në emër të besimtarëve mysliman kërkoi nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të këtij sulmi.

34-vjeçari është dërguar në ambientet e policisë, ku do ti nënshtrohet marrjes në pyetje nga drejtoria e anti-terrorit. Një muaj më parë ai ka plagosur me thikë një tjetër person në terminalin e autobusëve për Jugun dhe ishte në kërkim për këtë ngjarje nga policia.

Tv Klan