Mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi më shumë se 20 dronë

Shpërthime u dëgjuan sërish në Kiev dhe disa ndërtesa u përfshinë nga flakët pasi Rusia shënjestroi kryeqytetin për natën e tretë me radhë. Mbrojtja ajrore e Ukrainës kapi më shumë se 20 dronë. Raportohet se të paktën një person është vrarë dhe katër të tjerë mbetën të plagosur. Sirenat e sulmit ajror u ndezën në të gjithë Kievin. Dy katet e fundit të një ndërtese në lagjen Holosiivskyi u shkatërruan. Banorët e bllok apartamentesh në Kiev u evakuuan pasi rënia e mbeturinave nga dronët e shkatërruan atë.

Duke e quajtur atë një sulm masiv kreu i administratës ushtarake të Kievit u shpreh se Rusia e kreu sulmin duke përdorur dronët Shahed të prodhuar nga Irani. “Armiku vazhdon të sulmojë kryeqytetin”, tha Klitschko në një postim në Telegram. Dronët goditën gjithashtu edhe lagjet historike Podil dhe Pecherskyi në jugperëndim të Kievit.

Presidenti Volodymyr Zelensky falenderoi mbrojtjen ajrore e cila falë sistemit Patriot të prodhuar nga SHBA-ja çuan në rrëzimin e çdo rakete ruse. “Rusia dëshiron të ndjekë rrugën e së keqes deri në fund, domethënë deri në humbjen e saj, sepse e keqja nuk mund të ketë fund tjetër përveç humbjes. Bota duhet të shohë se terrori po humbet,”  u shpreh Zelensky.

Ndërkaq nga ana tjetër disa dronë goditën disa ndërtesa në Moskë duke shkaktuar dëme të vogla dhe pa lëndime në njerëz. Sistemet e mbrojtjes ajrore shkatërruan gjithashtu dronët sapo ato u afruan në kryeqytetit rus.

Mbetet e paqartë se kush i lëshoi dronët. Disa nga kanalet ruse raportuan se katër deri në 10 dronë u lëshuan në periferi të Moskës. Incidenti vjen disa javë pasi dy dronë shpërthyen mbi Kremlin një sulm që Rusia ka fajësuar Ukrainën, megjithëse Kievi e ka mohuar përgjegjësinë.

Sulmi i së martës i treti në 24 orë, shënon sulmin e 17-të ajror të Rusisë në Kiev këtë muaj, pas dy sulmeve të së hënës, që detyroi banorët ukrainas të evakuoheshin në stacionet e metrove. Analistët shprehen se Moska po kërkon të shkatërrojë në shkallë të plotë dhe dëmtojë mbrojtjen ajrore të Ukrainës përpara kundërsulmimit të saj të shumëpritur.

Ndërkaq kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se Rusia nuk do të jetë e gatshme të negociojë për paqe ndërkohë që ajo ende po përpiqet të bombardojë Ukrainën. “Unë shoh një përqendrim të trupave nga të dyja palët, vullnetin e qartë të Rusisë për të provuar të fitojë luftën,” tha Borrell.

Nga ana tjetër ministria e Brendshme e Rusisë ka lëshuar një urdhër-arresti për senatorin amerikan Lindsey Graham pas komenteve të tij në lidhje me luftën në Ukrainë. Në takimin e tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy senatori Graham, një republikan nga Karolina e Jugut, vuri në dukje se rusët po vdesin dhe e përshkroi ndihmën ushtarake të Shteteve të Bashkuara për vendin si “më të mirën që SHBA-ja shpenzuar ndonjëherë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i cilësoi komentet e senatorit një turp i madh për vendin. Senatori Graham është në mesin e më shumë se 200 anëtarëve amerikanë të Kongresit, të cilëve Moska u ndaloi hyrjen në Rusi vitin e kaluar.

Klan News