Një sulm rus me raketa në një zonë të banuar në Sumy të Ukrainës plagosi 65, përfshirë 14 fëmijë.
Kryebashkiaku në detyrë i qytetit në postimet e tij në mediat sociale u shpreh se sulmi me raketa ruse kishte në shënjestër “institucionet e fëmijëve dhe një spital”.
Sumy, rreth 30 km nga kufiri rus, si dhe rajoni përreth, është subjekt i sulmeve të vazhdueshme me dron dhe raketa nga Rusia.
Sulmet në këtë qytet vijnë teksa delagacioni rus dhe ai ukrainas vijojnë bisedimet që synojnë ti japin fund luftës mes dy vendeve në Riad. Shtëpia e Bardhë dëshiron një armëpushim detar për të lejuar qarkullimin e lirë të anijeve në Detin e Zi.
Amerikanët i kanë takuar të dyja palët, duke u përpjekur të përmbushin pritshmëritë mjaft optimiste të të dërguarit special të Presidentit Trump, Steve Witkoff.
Temën e bisedimeve mes dy palëve Presidenti rus Vladimir Putin e ka diskutuar gjatë një bisedë telefonike me homologun e tij në Emiratet e Bashkuara Arabe Mohamed bin Zayed Al Nahyan.
Presidenti rus e falënderoi gjithashtu për ndërmjetësimin në shkëmbimin e të burgosurve me Ukrainën.
Klan News