Kreu i Partisë Demokratikë, Lulzim Basha, ka sulmuar Kryeministrin Edi Rama, pas sulmeve që ky i fundit i ka bërë Bashkimit Evropian rreth procesit të vaksinimit. Në një postim në mediat sociale, Basha shkruan se është e turpshme që “Tirja i qeverisë sulmon BE-në dhe vendet anëtare për dështimet e tij”.

Më tej numri një i opozitës shton se nuk është i Bashkimit Evropian që Rama është një dështim për çdo gjë.  

“E turpshme që Tirja i qeverisë sulmon BE-në dhe vendet anëtare për dështimet e tij. Nuk është faji i BE-së që Shqipëria është vendi më i korruptuar në Evropë. Nuk është faji i BE-së që Tirja i qeverisë u ka dhënë qytetarëve ndihmën më të ulët nga çdo vend tjetër.

Nuk është faji i BE-së që Tirja i qeverisë i braktisi shqiptarët në kohën e tërmetit, pandemisë dhe krizës ekonomike. Nuk është faji i BE-së që Rama është një dështim në çdo gjë. Sulmet ndaj BE-së dhe vendeve anëtare nuk e mbulojnë dot dështimin e tij.

Ne i jemi përjetë mirënjohës BE-së për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në momente të vështira për vendin. 25 prilli do të jetë ditë e ndarjes nga e keqja dhe e orientimit evropian të Shqipërisë”, është ky reagimi i kryedemokratit.

Reagimi i numrit një të opozitës vjen pas botimit të një letre të Ambasadës Franceze drejtuar Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, e cila i kujton qeverisë ndihmën që BE jep çdo vit për Shqipërinë dhe përmend akuzat e Ramës kundër vendet anëtarë të unionit./tvkklan.al