Sulmet ajrore izraelite shënjestruan disa shtëpi në Rafah duke vrarë 14 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë. Palestinezët u panë duke kërkuar midis rrënojave në vendin e sulmeve ajrore izraelite në Rafah. Në vetëm 24 orët e fundit në Gaza si pasojë e sulmeve janë vrarë 93 persona dhe qindra të tjerë janë plagosur.

Ushtria izraelite thotë se po vazhdon operacionet e saj në dhe rreth spitalit al-Shifa në Gazan qendrore. Forcat izraelite arrestuan 200 persona të dyshuar se kishin vepruar kundër tyre dhe vranë 20, duke përfshirë një person që pretendohej se ishte zyrtar i lartë i operacioneve për sigurinë e brendshme të Hamasit. Ndërkaq Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Antony Blinken u shpreh se udhëtimi i tij i ardhshëm në Lindjen e Mesme do të ketë disa qëllime, duke përfshirë arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit dhe sigurimin e lirimit të pengjeve.

“Në lidhje me udhëtimin që do të bëjmë duke shkuar në Arabinë Saudite dhe në Egjipt, qëllimi është i shumëfishtë. Sigurisht që është të shtyjmë për një marrëveshje për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve, siç e dini, ne jemi të angazhuar intensivisht në këtë çdo ditë dhe po bëjmë gjithçka që mundemi për ta shtyrë atë përpara dhe për të arritur një marrëveshje. Kemi bërë shumë punë që nga janari e cila vijon edhe  në javët e fundit, kështu që kjo është pikërisht ajo që ne do të bëjmë atje”.

Vizita do të jetë për të diskutuar “arkitekturën e duhur për paqen e qëndrueshme rajonale”, tha diplomati i lartë amerikan në një konferencë shtypi me homologun e tij filipinas Enrique Manolo, të kryer si pjesë e një vizite zyrtare në Filipine.

Gjithashtu edhe zëvendëskryeministri i Britanisë së Madhe Oliver Dowden bëri thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm” në Gaza për arsye humanitare dhe i kërkoi Izraelit të “tregojë përmbajtje dhe proporcionalitet” në konfliktin me Hamasin. Më shumë se 70 për qind e popullsisë 2.3 milionëshe të Gazës po përballet me “uri katastrofike”, sipas një raporti nga OKB.

Pasiguria ushqimore në Gaza është bërë më e thellë dhe më e gjerë dhe tendenca e kequshqyerjes akute po rritet ndjeshëm. Raporti thotë se të dhënat e fundit tregojnë se njerëzit po përdorin ushqimin e kafshëve, pastrojnë ose lypin për të mbijetuar.

Klan News