Vodhën të dhënat dhe më pas tentuan t’i shkatërrojnë ato

Hakerat iranianë që goditën sistemet dhe shërbimet qeveritare shqiptare kishin punuar për të paktën 14 muaj në heshtje në brendësi të tyre. Ky është përfundimi i një raporti të FBI-së amerikane dhe Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës në SHBA që kanë analizuar sulmet kibernetike të Iranit kundër qeverisë shqiptare.

Në raport thuhet se sulmet u bënë publike në korrik dhe shtator, por agresorët kishin pasur qasje në sisteme prej më shumë se 1 viti. Virusi përfshinte një kodues skedarësh ransomware dhe një malware për fshirje të të dhënave. Raporti thotë se hakerat kishin shfrytëzuar periodikisht përmbajtjen e postës elektronike.

Në muajt maj dhe qershor autorët e identifikuar më pas me emrin “Drejtësia e atdheut” kryen lëvizje anësore, zbulime rrjeti dhe vjelje të kredencialeve. Në 15 korrik ndërmorën sulmin ndaj e-Albania duke lënë një mesazh kundër muxhahedinëve të MEK në desktop. Pasi autoritetet iu përgjigjën sulmit, hakerat tentuan të instalonin një virus shkatërrues të të gjitha të dhënave.

Ndërsa në 9 shtator u godit sistemi TIMS me të njëjtën mënyrë si e-Albania. Përgjigja ndaj tyre u bë nga ekspertë të Microsoft. 2 ditë para këtij sulmi kryeministri Rama kishte akuzuar publikisht Iranin duke njoftuar ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike. SHBA, BE dhe NATO dolën në krah të Tiranës ndërsa Teherani tha se akuzat ishin të pabaza.

Tv Klan