33 të proceduar, në mesin e të cilëve 9 të arrestuar është numri i personave të cilët sipas policisë ditën e mërkurë kanë ushtruar dhunë ndaj Forcave të Rendit dhe Sigurisë, të cilët mbanin në ruajtje KZAZ-të dhe më pas kanë dëmtuar materialet zgjedhore të KZAZ Nr. 16, që ndodhej në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa”, Bashkia Mat dhe KZAZ nr. 17, që ndodhej tek Biblioteka e qytetit, Bashkia Klos.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se pas veprimeve hetimore, identifikimit të personave me anë të pamjeve filmike dhe fotografike u arrestuan: “E. D., 21 vjeç, banues në Burrel, Xh. Gj., 55 vjeç, banues në Burrel, M. D., 53 vjeç, banues në Burrel (Punonjës Policie i Bashkisë Burrel), E. T., 49 vjeç, banues në Klos, I. Ç., 44 vjeç , banues në Klos (Administrator i njësisë administarative Suç, Klos), M. Gj., 62 vjeç, banues në Klos, M. L., 38 vjeç, banues në Klos (Përgjegjës i zyrës së ndihmës ekonomike, Klos), R. D., 62 vjeç, banues në Klos (punonjës në mirëmbajtjen e rrugës, Klos), H. K., 46 vjeç, lindur në Klos e banues në Britaninë e Madhe”.

“Janë proceduar penalisht në gjendje të lirë 12 shtetas, konkretisht: N. D., B. Ç., D. V., S. K., B. C., Sh. XH., A. B., R. K., Sh. D., J. F., K. P., E. P”. Gjithashtu, në kërkim janë shpallur edhe 12 shtetas të tjerë.

Personat në fjalë akuzohen për veprat penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”./tvklan.al