211 është në total  numri i të proceduarve për sulmet e dhunshme të ditëve të fundit ndaj Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve në disa bashki të drejtuara nga opozita. Nga këta 48 janë arrestuar në flagrancë. 18 tyre gjykata vendosi t’i lërë në qeli.

Në arrest shtëpie do qëndrojnë 14 persona, mes të cilëve edhe ish-deputeti demokrat Bardh Spahia, i cili sipas gjykatës ishte një prej organizatorëve të shkatërrimit dhe djegies së KZAZ 3 në shkollën Shejnaze Juka.

Të proceduar janë edhe punonjësit e policisë bashkiake dhe mbështetësit e opozitës që u përplasën me forcat e rendit dhe i vunë flakën njërës nga klasave ku ishte vendosur baza materiale për zgjedhjet.

Para drejtësisë dolën edhe autorët e dhunës në KZAZ-të e Burrelit dhe Klosit ku përveç konfrontimit me policinë iu vu flaka materialeve zgjedhore.

Për 4 nga ndaluarit në incidente e ndodhura në KZAZ-në e shkollës “Havzi Nela” në Kukës, gjykata do të marrë vendim të hënën. Mbi të procedurat rëndojnë disa akuza, si  “Kundërshtim i punonjësve të policisë”, “Organizim dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme, por edhe prishje të qetësisë publike”.

Me ndryshimet që i janë bërë Kodit Penal kushdo që do të pengojë zgjedhjet apo do kryejë krim elektoral, do të dënohet nga 5 deri në 10 vjet burg si dhe do t’i ndalohet dalja nga vendi. Edhe Shtetet e Bashkuara përmes zv/ndihmës sekretarit të Shtetit Methju Palmer kanë paralajmëruar ndalimin e hyrjes në SHBA të kujtdo që do prekë zgjedhjet, duke u kujtuar udhëheqësve politikë të opozitës se do mbajnë përgjegjësi për çdo akt dhune.

Tv Klan