Menjëherë pasi policia austriake kishte eliminuar dhe ka vërtetuar identitetin e Kujtim Fejzullahit me origjinë nga një fshat i Tetovës, ka njoftuar policinë e Maqedonisë së Veriut, kurse organet kompetente të vendit janë duke e kontrolluar listën e dorëzuar nga Vjena ku krahas sulmuesit të vrarë nga policia austriake, ka edhe dy shtetas të tjerë të Maqedonisë së Veriut.

“Nga lista e policisë austriake, që është dorëzuar nëpër shumë polici, mes të cilëve edhe tek ne, është vërtetuar se tre persona krahas nënshtetësisë austriake kanë edhe nënshtetësi të RMV-së. Ata janë K.F i lindur në Modling – Austri, A.G i lindur në Sent Polten – Austri dhe U.A i lindur në Vjenë – Austri. Sektori për bashkëpunim policor ndërkombëtar pranë MPB-së është vënë në dispozicion të kolegëve nga Austria dhe intensivisht bashkëpunojmë për të gjitha elementet lidhur me këtë rast”, njoftoi Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, Presidenti i vendit Stevo Pendarovski ka realizuar një bisedë telefonike me Presidentin e Austrisë Aleksandar Van der Bellen.

“Presidenti shfaqi gatishmërinë për bashkëpunim gjithëpërfshirës në drejtim të parandalimit të radikalizmit dhe terrorizmit, të motivuar nga fundamentalizmi fetar”, thuhet në komunikatën e Presidencës.

Nga sulmet me armë në Vienë mbrëmjen e së hënës, u vranë 4 qytetarë dhe u plagosën 17 të tjerë. Njëri nga autorët u identifikua si Kujtim Fejzullai, i lindur në Austri por me origjinë shqiptar i Maqedonisë së Veriut.

 /Klan Macedonia