Sri Lanka ka ndaluar mbulimin e fytyrës në vendet publike, pas sulmit vetëvrasës të dielën e Pashkëve (21 Prill) që vrau të paktën 250 vetë dhe plagosi qindra të tjerë. Presidenti Maithripala Sirisena, tha se po përdorte ligjin e emergjencave për të vendosur kufizimin duke filluar që nga dita e sotme, shkruan BBC.

Çdo veshje e fytyrës që “pengon identifikimin” do të ndalohet për të siguruar vendin, tha zyra e tij. Udhëheqësit myslimanë e kritikuan këtë veprim. Megjithatë, nikabi dhe burka, që përdoren nga gratë myslimane, nuk janë përmendur në mënyrë specifike.

Gjatë fundjavës, mijëra trupa ushtarakë të Sri Lankës ishin në rrugë, duke mbrojtur kishat dhe xhamitë. Shërbimet e kishave të së dielës u anuluan në të gjithë vendin si një masë paraprake, por adhuruesit në kryeqytet u mblodhën për t’u lutur jashtë tempullit të Shën Anthonit, i cili u dëmtua rëndë nga sulmet.

Kohët e fundit në vend është rritur frika se luftëtarët e Shtetit Islamik, të rikthyer nga Lindja e Mesme mund të kthehen në kërcënim për vendin. Që prej fundit të luftës civile në Sri Lanka, në 2009-n, ka pasur raste sporadike dhune, kryesisht nga anëtarët e komunitetit Budist Sinhala, të cilët në qendër të sulmeve të tyre kanë xhami dhe prona të myslimanëve.

/tvklan.al