Shefi i komisariatit Rinas:  Në mungesë të sistemit refuzuam kalimin e 28 personave me probleme

Përpunimi i të dhënave të pasagjerëve në hyrje dhe dalje në aeroport bëhet nga efektivët e policisë kufitare në 12 pika por dhe 10 pajisjet E-Gate. Nga pajisja inteligjente bëhet përpunimi i të dhënave për rreth 6 mijë udhëtarë në ditë, ndërsa në pikat e policisë kufitare bëhet përpunimi i rreth 16 mijë të dhënave të tjera. Shefi i komisariatit të policisë kufitare në RINAS, Përparim Dema tregon për Klan Neës si po kryhen veprimet në aeroport.

“Falë angazhimit të të gjithë strukturave të Policisë së Shtetit, të Ministrisë së Brendshme, është rregulluar sistemi dhe vazhdojmë në kushte normale. Kemi përpunim normal të pasagjerëve. Kontrolli kufitar konsiston në verifikimin e vijës së parë. Pasagjeri paraqet dokumentacionin si pasaportën dhe biletën dhe intervistohet. Në rast se nuk janë bindës dhe ka dyshime për qëllimin e udhëtimit, kalojnë në vijë të dytë dhe pastaj të refuzohet udhëtimi kur nuk i plotëson kushtet”, është shprehur Dema.

Ndonëse për 24 orë sistemi TIMS nuk punoi, shërbimet e policisë nuk lejuan kalimin e 28 udhëtarëve.

Gjatë këtyre ditëve kemi pasur 28 raste në hyrje dhe në dalje që janë refuzuar hyrja dhe dalja e shtetasve të ndryshëm të cilët kanë qenë dyshues për qëllimin e udhëtimit. Është bërë vëzhgimi nëpërmjet regjistrave. Është bërë regjistrimi, janë intervistuar”, ka thënë Përparim Dema.

Të dhënat e rreth 20 mijë qytetarëve, shqiptarë dhe të huaj të marra në mënyrë manuale u hodhën më pas në sistemin TIMS. Edhe në pikat e tjera të kalimit kufitar të vendit, situata vijon normalisht.

Një problematikë që po përballet policia aktualisht është sistemi i brendshëm, që ka vështirësuar mbarëvajtjen e punës. Në disa sektorë, të dhënat po përpunohen ende në mënyrë manuale.

Menjëherë pas sulmit kibernetik në vendin tonë kanë mbërritur dy ekspertë të krimeve nga SHBA. Sipas burimeve ata po punojnë për përforcimin e sistemeve duke vendosur disa filtra në sistemet e policisë, për të parandaluar ndonjë sulm tjetër të mundshëm.

Klan News