Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën e tij në Sesionin e 77 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku foli për sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë, Kosovën, luftën e Rusisë në Ukrainë dhe Ballkanin e Hapur.

Në temën për sulmin kibernetik nga Irani, Kryeministri u bëri thirrje vendeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që të përqëndrojnë vëmendjen dhe të investojnë në sigurinë kibernetike.

“Në një kohë kur një mori krizash kanë zhytur botën në trazira, do doja t’i kërkojë Asamblesë të përqëndrojë vëmendjen në një çështje tjetër, për ndikimin mbi paqe e sigurinë që është siguria kibernetike. Shqipëria qe objekt i një sulmi masiv kibernetik. E gjithë infrastruktura qeveritare u gjend nën një sulm me qëllimin e qartë për ta shkatërruar atë. Një hetim i thelluat i kryer me ekspertizën më të mirë botërore ka konfirmuar që sulmi që donte të gjunjëzonte një vend sovran ishte agresion i orkestruar nga Irani. Kësisoj qeveria shqiptare nuk pati asnjë zgjedhje tjetër po vetëm të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Ne i bëjmë thirrje OKB-së të investohet në sigurinë kibernetike”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Rama thirrje OKB-së: Raporti i Dick Marty, asnjë provë për Thaçin. Pranoni kërkesën tonë për raport të ri

Kryeministri Edi Rama ka dënuar raportin e Dick Marty për krimet e pretenduara të trafikimit të organeve gjatë luftës në Kosovë, për të cilat sot qëndron në burg ish-Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe të tjerë ish-zyrtarë e ish-luftëtarë të UÇK-së.

Gjatë fjalimit që mbajti në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Kryeministri Edi Rama kërkoi nga Kombet e Bashkuara që të pranojnë kërkesën e Shqipërisë për të pasur një tjetër raport dhe për të mos akuzuar pa prova ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët ende sot janë prapa hekurave dhe po gjykohen në Hagë.

“Sa përmendet Ballkani vë bast që në mendjen e gjithkujt vijnë imazhet e luftërave të përgjakshme. Drejtësia qëndron në themelet e çdo përpjekje për një paqe afatgjatë, por drejtësia shërbehet me prova, dhe jo me trille. Dhe nuk mundet të mos ndaj një shembull të tmerrshëm. Në vitin 2011 Asambleja Parlamentare e KiE miratoi një raport përpiluar nga Dick Marty ku akuzohet UÇK për krimin e neveritshëm të trafikimit të organeve.

Martyn duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrë të besohej. Raporti i tij ishte tronditës. U shndërrua në faktorin kyç të ushqimit të idesë dhe ngritjes së dhomave të specializuar të gjykatës për Kosovën. Çdo përpjekje hetimore u bë gjatë këtyre 11 viteve të gjata për t’i vërtetuar këto akuza. Por më kot. Asgjë.

Asnjë grim prove a treguesi nuk u gjend askund që kishte të bënte me trafikimin e pretenduar të organeve. E megjithatë, dhomat e specializuara kanë arrestuar pa padi Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi. Ai priti një vit në burgim deri sa u akuzua zyrtarisht. As edhe një fjalë e vetme e gjithë aktakuzës nuk ka të bëjë me raportin e KiE për krimin e pretenduar të trafikimit të organeve. Një fantazi e tërë.

Kjo është dështim monumental dhe nuk ka të bëjë me një person, ka të bëjë me njollosjen e përshtatshme të një vendi dhe historisë së tij. Ne mendojmë dhe shpresojnë që Asambleja e OKB do të nderojë të vërtetën dhe pranojë kërkesën e Shqipërisë për ta pasur raport vijues, ndërkohë që dëmi është bërë, të ndihmojë të rivendosë besueshmërinë. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga kjo e vërtetë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Lufta e Rusisë në Ukrainë/ Rama: Një vend që udhëhiqet nga deliri i madhështisë po zvarrit botën

Nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Edi Rama akuzoi Rusinë për sulmin ushtarak ndaj Ukrainës, duke shkelur në këtë mënyrën Kartën e OKB-së.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se referendumet që po organizon Rusia në disa rajone të Ukrainës janë farsë dhe nuk do të njihen nga Shqipëria.

Kryeministri theksoi edhe njëherë mbështetjen për Ukrainën, teksa ka dënuar agresionin ushtarak të Rusisë.

“Këtë vit shpresat e bisedimeve tona janë copëtuar nga një luftë e paprovokuar, e paramenduar e një vendi kundër një tjetër, agresioni mizor i Rusisë kundër Ukrainës. Lufta me zgjedhje e Rusisë është një sulm brutal kundër së drejtës ndërkombëtare, një shkelje flagrante e kartës së OKB dhe kërcënim i drejtpërdrejt ndaj arkitekturës së sigurisë evropiane. Të gjithë ne përpiqemi të projektohemi në të ardhmen, një vend i udhëhequr nga deliri i madhështisë ka vendosur të zvarrisë botën pas, të shkojë kundër gjithçkaje. Kjo është e papranueshme.

Ne do vazhdojmë të qëndrojmë në solidaritet të plotë me Ukrainën. Lufta e tyre është edhe e jona. Shpresoj që të gjithë anëtarët e OKB që ndajnë parimet e integritetit territorial, t’i ikësh kësaj beteje përcaktuese midis këtyre parimeve është t’i ikësh detyrës për të mbrojtur veten, vendet tona. Referendume farse po zhvillohen në disa pjesë të territorit të pushtuar të Ukrainës nën kërcënimin e pushkës.  Këto veprime shkojnë përkundër së drejtës ndërkombëtare e jo vetëm. Ne i dënojmë këto veprime të fabrikuara në Moskë dhe nuk njohim asnjë prej këtyre veprimeve. Z.President nuk ka qenë asnjëherë vend i qetë dhe ka shumë sfida serioze të trajtohen në mënyrë të menjëhershme. Terrorizmi mbetet një kërcënim serioz”, deklaroi Kryeministri Edi Rama. 

Ballkani i Hapur, Rama: Nuk është e nevojshme të biem dakord për gjithçka që të lëmë pas të shkuarën e errët

Nismën Ballkani i Hapur, Kryeministri Edi Rama e konsideron si mënyrën për të mirë që rajoni të zhvillohet. Këtë gjë, kreu i qeverisë shqiptare e theksoi edhe gjatë fjalës së tij në Asamblenë e OKB-së, ku u shpreh se mesazhi që jep Ballkani i Hapur është që nuk është e nevojshme që vendet të bien dakord për gjithçka për të lënë pas të shkuarën e errët.

“Kthejeni nga të doni këtë rajon dhe do të gjeni shumë benzinë për ndezjen e ndasive. Por ne kemi kuptuar që mënyra më e mirë për të ecur përpara është ta bëjmë së bashku. Kjo na bëri bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë për të krijuar nismën e Ballkanit të Hapur për të gjitha vendet e Ballkanit, për Malin e Zi, Kosovën, Bosnjen, Greqinë, Turqinë e më tej. Mesazhi më i mirë është që nuk është e nevojshme të biesh dakord për gjithçka për të lënë pas të shkuarën e errët.

Duke forcuar marrëdhëniet e saj me Serbinë, Shqipëria as nuk ka lëvizur e as nuk do lëvizë nga qëndrimi i palëkundur për mbështetjen që çdo vend të njohë Republikën e Kosovës. Është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin përtej ngërçit në dialogun aktual. Dialogu nuk është vetëm rruga më e mirë, por e vetme dhe e patjetërsueshme dhe mbetem i bindur që Ballkani i Hapur do të lehtësojë këtë proces”,  deklaroi Kryeministri Edi Rama.