Sulmi kibernetik i Iranit ndaj Shqipërisë në verën që sapo lamë pas, ishte i paprovokuar dhe askush nuk e priste.

Kështu është shprehur ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në konferencën për “Sigurinë Kibernetike”.

Sipas ministres, sulmi kibernetik i Iranit ishte i përmasave të mëdha, sipas të cilës, nuk do t’i kishin rezistuar as shtete të tjera më të fuqishme.

“Besoj që nuk e teproj kur them që sulmi i 15 korrikut ishte një nga ngjarjet më të rënda që ka përjetuar vendi ynë në dekadat e fundit. Në mënyrë krejt të paprovokuar, vendi ynë u bë objekt i një sulmi të organizuar nga një aktor shtetëror.

 Jo nga ndonjë aktor shtetëror çfarëdo, por nga Irani, një fuqi e madhe me një CV të pasur sulmesh të organizuara e sponsorizuara qoftë në Lindjen e Mesme por edhe më gjerë. Një vend, që është identifikuar tashmë si autori i kushedi sa sulmeve me dronë e raketa në Lindjen e Mesme, ku spikasin padyshim sulmet kundër vendeve mike me Shqipërinë në Gjirin Persik apo rrëmbimet e anijeve, sponsorizimet e sulmeve terroriste, etj.

 Ishte një vendim i padëshiruar nga ne, por që besoj që i bën nder Shqipërisë, fakti që pas këtij sulmi ne shkëputëm marrëdhëniet diplomatike me Iranin. 

 Siç e thashë, sulmi ishte krejtësisht i paprovokuar. Askush nuk e priste një sulm të këtyre përmasave e aq më pak një sulm të organizuar nga një aktor shtetëror. Kolegët e AKSHIT e AKCESKUT më kanë treguar më pas, që sistemet tona qeveritare, infrastruktura jonë digjitale i nënshtrohet çdo ditë – çdo ditë – një numri të jashtëzakonshëm sulmesh kibernetike nga individë e organizata kriminale, por këto sulme nuk ia kishin dalë kurrë të komprementonin këto sisteme.

 Ajo që ndodhi në 15 korrik ishte diçka e një magnitude e shkalle krejtësisht të re sigurisht. Ky ishte një sulm të cilit nuk do t’i kishin rezistuar dot më mirë  as vende me shumë më tepër eksperiencë, me kapacitete shumë më të mëdha, e me resurse financiare shumë herë më të mëdha sesa tonat.

 15 korriku ishte një akt agresioni shtetëror të paprovokuar kundër një vendi të pavarur e sovran. Nuk u sulmuam me raketa e me dronë e eksplozivë dhe nuk pati ndërtesa të shkatërruara e të vrarë nëpër rrugë, kjo eshte e vertete.

 U sulmuam me kode e tastiera por nëse sulmi do të kishte qenë i suksesshëm në nivelin e parashikuar nga autorët e tij, do të kishin shkaktuar në infrastrukturën tonë digjitale dhe në infrastrukturën tonë të shërbimeve një dëm po aq të madh sa kanë shkaktuar në qytetet e Ukrainës raketat e bombat ruse. Pasojat per qytetaret shqiptare do të kishin qenë të jashtëzakonshme.

Ky nuk është një ekzagjerim, pasi Shqipëria ështe sot një vend, që ofron 95% të shërbimeve online dhe nëse ky sulm do të kishte qenë i suksesshëm aftësia jonë për të ofruar shërbimet do të ishte kompromentuar shumë. Akoma më shumë do të ishte kompromentuar besimi i qytetarëve tek këto sisteme duke i dhënë kështu një goditje të rëndë njërës prej reformave më të rëndësishme të qeverise sone. Nje reforme qe jo vetëm që ka rritur standardin e shërbimeve por ka rritur edhe transparencën, ka shmangur sportelet, duke dhënë një kontribut të ndjeshëm në luftën kundër korrupsionit.

Sa më sipër, janë disa nga argumentet kryesore që kemi diskutuar gjatë këtyre muajve me të gjithë partnerët dhe aleatët, qoftë në NATO, në BE, por edhe më gjerë, ku do të veçoja me mirënjohje sidomos Izraelin e Emiratet e Bashkuara Arabe me të cilat sot kemi një bashkëpunim vërtet të dobishëm në fushën e sigurisë kibernetike”, tha ndër të tjera ministrja e Jashtme. /tvklan.al