Afati për 10 ditë, asistencë në shkollë kush nuk ka akses online

Janë afro 20 mijë nxënës të cilët nuk kanë mundur të regjistrohen në shkollë në klasë të parë dhe atë të 10-të përmes portalit e-Albania.

Ministria e Arsimit thotë se për shkak të problemeve që ndodhën nga sulmi kibernetik, nga data 15 deri në 25 Gusht do të rihapen aplikimit online.

“Janë regjistruar pothuajse 70 % e nxënësve të ciklit fillor dhe rreth 60 % e nxënësve të arsimit të mesëm. Ndërsa për atë që nuk kanë pasur mundësi dhe akses do të rihapen për 10 ditë aplikimet sërish online”.

Por si do të regjistrohen fëmijët e familjeve të cilët nuk kanë akses online?

“Pranë shkollave do të ketë edhe një asistencë për prindërit dhe fëmijët të cilët mund ta kryejnë aplikimin online përmes shkollës”.

Ndërsa në lidhje me ata nxënës të cilët duan të regjistrohen në një shkollë jashtë vendbanimit të tyre, sërish duhet të aplikojnë online.

“Do të bëhet aplikimi online dhe do të jepet edhe arsyeja se perse dëshiron të regjistrohet në x shkollë”.

Pak javë më parë i gjithë sistemi online ra për shkak të një sulmi kibernetik duke paralizuar ofrimin e shërbimeve. Por tashmë pas afro dy javësh, e-Albania është në funksion të plotë.

Tv Klan