Hezbollah lëshoi qindra raketa dhe dronë kundër Izraelit natën e së dielës në hakmarrje për vrasjen e një komandanti të lartë të tij në Bejrut muajin e kaluar.
Sipas organizatës së mbështetur nga Irani sulmi u bë me dronë dhe me më shumë se 320 raketa Katyusha duke goditur 11 objektiva të ushtrisë së Tel Avivit.
Në një fjalim televiziv liderit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha se kjo ishte faza e parë e përgjigjes për vrasjen komandantit të saj të lartë Fuad Shukr, ndërsa theksoi se sulmi që shënjestroi një bazë të inteligjencës ushtarake izraelite 110 km në brendësi të territorit izraelit, ishte një sukses.
Në krahun tjetër ushtria izraelite u shpreh se kishte arritur të minimizonte sulmin duke goditur dhjetëra baza të Hezbollahut, ndërsa konfirmoi më vonë se një ushtar 21-vjeçar i marinës izraelite u vra “gjatë luftimeve”.
Rreth 100 avionë izraelitë goditën 40 baza të Hezbollahut në Libanin jugor, ku raportohen të paktën 3 persona vrarë.
Kabineti i Luftës në Tel Avivi u mblodh në orën 7 të mëngjesit për të marrë masa ndaj situatës, ndërsa Izraeli shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të dielën se përgjigja e Izraelit nuk ishte fundi i historisë duke paralajmëruar se do të bënte gjithçka për të mbrojtur vendin e tij.
Kjo konsiderohet si një nga përplasjet më të mëdha që nga shpërthimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit në Gaza, duke ngjallur frikën për një përshkallëzim të përplasjes në një konflikti më të gjerë rajonal, që mund të përfshijë si Shtetet e Bashkuara ashtu edhe Iranin.
Tv Klan