Një person i armatosur ka hapur zjarr në një shkollë në Rusinë qendrore, duke lënë të vrarë 13 persona dhe duke plagosur 21 të tjerë.  Në mesin e viktimave janë 7 fëmijë të cilët kanë ndërruar jetë pas të shtënave me armë në shkollën me rreth 1000 nxënës në Izhevsk. Autori i ngjarjes së rëndë, një ish-nxënës i kësaj shkolle ka vrarë veten në vendngjarje.

Mediat ruse kanë postuar video të cilat duket paniku brenda ndërtesës ku ndodhën të shtënat. Disa pamje tregojnë gjak në dyshemenë e një klase dhe një vrimë plumbi në një dritare, me fëmijë të ulur poshtë tavolinave. Shtatë fëmijë dhe gjashtë të rritur u vranë, duke përfshirë dy roje sigurie dhe dy mësues, sipas zyrtarëve rusë. Stafi dhe nxënësit janë evakuuar nga ndërtesat e shkollës.

Një deputet lokal tha se sulmuesi i quajtur, Artem Kazantsev kishte qenë i armatosur me 2 pistoleta. Në një video të postuar në rrjetet sociale shihet autori i ngjarjes i shtrirë në dysheme veshur me një bluzë me simbolin nazist dhe një kapuç.

Kreu i qarkut ka shpallur periudhë zie deri më 29 Shtator. Zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin tha se ai është thellësisht i pikëlluar për sulmin.

Shkolla është në qendër të Izhevsk, një qytet me rreth 650,000 banorë, afër ndërtesave të qeverisë qendrore./tvklan.al