Një bombë e fuqishme në një qytet lindor të Afganistanit shkaktoi vdekjen e 27 personave dhe plagosjen e më shumë se 90 të tjerëve.

Ngjarja ndodhi një ditë para se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj të NATO-s të fillojnë zyrtarisht tërheqjen e trupave të fundit nga vendi i shkatërruar nga konflikti.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme Afgane, Tariq Arian, tha se ai parashikonte që numri i të vdekurve të rritej. Ai tha se sulmi ndodhi para një shtëpie të mbushur me njerëz në Pul-e-Alam, kryeqyteti i provincës Logar, rreth 70 kilometra në lindje të kryeqytetit afgan, Kabul.

Askush nuk e ka marrë deri tani përgjegjësinë për dhunën, por zyrtarët menjëherë akuzuan kryengritjen Talibane se e kishte orkestruar atë.

Tërheqja e rreth 2,500 trupave amerikane dhe rreth 7,000 trupave aleate ka filluar dhe pritet të përfundojë deri më 11 Shtator. Tërheqja ka për qëllim t’i japë fund gati dy dekadave luftë në atë vend, më e gjata e Amerikës.

Sulmi me makinë bombë të premten erdhi vetëm disa orë pasi i dërguari i posaçëm i Paqes për Afganistanin, Zalmay Khalilzad dhe homologët e tij rusë, pakistanezë dhe kinezë u takuan me udhëheqësit talebanë në Katar për t’i bërë presion dhe për të çuar përpara bisedimet e bllokuara të paqes me rivalët afganë.

Zyrtarët e lartë ushtarakë amerikanë kanë shprehur shqetësim në lidhje me dhunën e përshkallëzuar dhe aftësinë e forcave afgane për t’i bërë ballë presionit në rritje.

Klan News