Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu, ka reaguar pas sulmit në xhaminë në rrugën e Kavajës në Tiranë.

Ai thotë se është informuar nga Myftiu i Tiranës se një person ka hyrë në xhami dhe ka sulmuar me thikë besimtarët dhe personelin e objektit të kultit. Ai thotë se fatmirësisht të lënduarit janë jashtë rrezikut për jetën.

Spahiu i bën thirrje organeve kompetente që të zbardhin sa më parë këtë ngjarje, e cila ndodh në muajin e Ramazanit.

“U informova nga Myftiu i Tiranës, z. Lauren Luli, dhe nëpërmjet medias, për ngjarjen e fundit në Xhaminë Dine Hoxha. Sipas imamit Kalaja dhe besimtarëve dëshmitarë të pranishëm, një person i jashtëm ka hyrë nga rruga në xhami duke plagosur me mjet prerës besimtarët dhe personelin e pranishëm në xhami. Fatmirësisht besimtarët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën. I lutemi Zotit për shërimin e tyre sa më të shpejtë. Personi është në duart e forcave të rendit. Kërkojmë nga organet përkatëse zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje e cila lëndoi besimtarët në këto ditë Ramazani”.

5 persona mbetën të plagosur nga sulmi me thikë që bëri në xhaminë e rrugës së Kavajës Rudolf Nikollaj. 34-vjeçari u arrestua nga policia pas ngjarjes. Ai është dërguar në polici dhe po merret në pyetje.

Nga verifikimet rezulton se 34-vjeçari ka kryer një akt të tillë edhe pak kohë më parë. Në muajin Mars të këtij viti ka plagosur me thikë një 32-vjeçar pas një sherri mes tij dhe një personi tjetër në terminalin e autobusëve. Pas konfliktit fizik, Rudolf Nikollaj e goditi me thikë./tvklan.al