Policia ka arrestuar tre persona që u përplasën fizikisht me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Forcave Operacionale në Fier.
Në pranga kanë rënë dy nipërit e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj: Ledjan dhe Klaudio Kapllanaj si dhe Gerald Kollçaku.
Mësohet se konflikti fillimisht nisi nga fjalë fyese, e më pas përfundoi në përplasjet fizike mes palëve.
Në njoftim zyrtar për shtyp të BKH-së thuhet se hetuesit e këtij institucioni dhe shërbimet e policisë po kryenin detyra hetimore të deleguara në kuadër të një hetimi të ndërmarrë nga SPAK
“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta në aksin Fier – Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e policisë së shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe të shoqëruar në policinë e Fierit”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Sipas dëshmive të të arrestuarve, agjentët e operacionaljes nuk janë identifikuar dhe nuk kanë pasur logo dalluese. Ata deklaruan se agjentët u janë dukur si njerëz të dyshimtë, ndaj dhe ka nisur përplasja mes tyre.
Për klan News Agron Kapllanaj deklaroi se një makinë është futur në oborrin e biznesit të vëllait të tij ku është ngritur një dron. Pas ngritjes së dronit thotë ish-kryebashkiaku, pati një debat mes njerëzve të tyre dhe hetuesve të BKH-së.
Pas këtij konflikti, agjentët janë larguar, por janë ndjekur nga të afërm të Kapllanajt. Në zonën 1 Maji të Fierit ka pasur një konflikt fizik. Pas kësaj ngjarje policia ka shoqëruar personat e përfshirë në konflikt.
Klan News