18 tetor 2026 – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita ka dalë me një deklaratë zyrtare pas sulmit të protestuesve ndaj komisariatit nr.3 të në Tiranë. Hita thotë se nga sulmi me molotovë e mjete piroteknike u plagosën 10 efektivë të policisë, të cilët nuk kanë qenë të angazhuar në protestë.
“Në orët e mbrëmjes, Komisariati i Policisë Nr. 3 në Tiranë u bë objekt i një sulmi të rëndë dhe të paprecedentë nga grupe personash të maskuar, të cilët përdorën bomba molotov, lëndë piroteknike, gurë dhe sende të forta kundër godinës dhe punonjësve të Policisë.
Si pasojë e këtij sulmi, mbetën të plagosur 10 punonjës të Policisë, të cilët ndodheshin në krye të detyrës, në shërbim të ruajtjes dhe sigurisë së Komisariatit. Dua të theksoj se këta punonjës nuk kishin qenë të angazhuar në veprimet policore gjatë ditëve të mëparshme të protestave”, tha Hita.
Më tutje, Hita thotë se dhuna ndaj uniformës policore dhe rrezikimi i jetës nuk justifikohet në asnjë rrethanë dhe se po punohet për identifikimin e autorëve, të cilët do të përballen me përgjegjësi penale.
“Sulmi krijoi një rrezik serioz jo vetëm për jetën dhe shëndetin e punonjësve të Policisë, por edhe për personat e shoqëruar që ndodheshin brenda ambienteve të Komisariatit. Dua të jem shumë i qartë për të gjithë se sulmi ndaj një komisariati policie nuk është protestë. Goditja e punonjësve të Policisë me bomba molotov dhe mjete të tjera të rrezikshme është dhunë e rëndë, e cila dënohet nga ligji dhe nuk mund të justifikohet në asnjë rrethanë.
Edhe gjatë ditës së sotme janë regjistruar sulme të tjera ndaj punonjësve të Policisë, me përdorimin e gurëve, lëndëve piroteknike, sferave metalike dhe bombave molotov, duke shkaktuar plagosjen e disa punonjësve të tjerë. Prej gjashtë ditësh, punonjësit e Policisë së Shtetit po përballen me akte të përsëritura dhune, ndërkohë që vijojnë të përmbushin detyrën e tyre për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Dhuna ndaj punonjësve të Policisë, sulmet ndaj institucioneve dhe rrezikimi i jetës së njerëzve nuk mund të tolerohen. Policia e Shtetit po punon për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këto sulme, dokumentimin e veprimeve të tyre dhe referimin e provave pranë organeve kompetente të drejtësisë. Çdo person për të cilin provohet përgjegjësia penale do të përballet me pasojat që parashikon ligji”, tha ndër të tjera Hita.
Dhe njëherë kryepolici Hita i ka bërë thirrje qytetarëve për të ndalur aktet e dhunës dhe për të protestuar në mënyrë paqësore. Në deklaratë, ai thotë se Policia e Shtetit është e udhëzuar për të garantuar stabilitetin dhe për të reaguar në bazë të ligjit dhe procedurave.
“Askush nuk mund ta përdorë të drejtën kushtetuese të protestës si mburojë për të ushtruar dhunë, për të sulmuar punonjësit e Policisë apo për të shkatërruar pronën publike dhe private. E drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar dhe Policia e Shtetit ka detyrimin ta mbrojë atë. Por po aq i qartë është detyrimi ynë për të ndërhyrë, në përputhje me ligjin, ndaj çdo veprimi që cenon jetën, sigurinë dhe rendin publik.
Kam udhëzuar të gjitha strukturat policore të vijojnë përmbushjen e detyrës me profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri, duke respektuar rigorozisht ligjin, procedurat standarde dhe parimin e proporcionalitetit.
Vendosmëria për të ndaluar dhunën duhet të shoqërohet në çdo rast me respektimin e ligjit dhe të drejtave të qytetarëve. U bëj thirrje të gjithë personave të përfshirë në veprime të dhunshme që t’i ndërpresin menjëherë ato. Çdo sulm i mëtejshëm ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve apo pronës së qytetarëve do të marrë përgjigjen e parashikuar nga ligji”, tha Hita
Skënder Hita e mbyll reagimin duke bërë thirrje qytetarëve për të mos lejuar krijimin e një klime armiqësore mes tyre dhe forcave policore.
“Njëkohësisht, u drejtohem të gjithë qytetarëve, veçanërisht atyre që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e protestës, që të distancohen nga personat që përdorin dhunën dhe të mos lejojnë që veprimet e tyre të rrezikojnë sigurinë e të tjerëve.
Policia e Shtetit nuk është kundërshtare e qytetarëve. Ajo është në shërbim të tyre. Nuk duhet dhe nuk mund të krijohet një klimë armiqësie ndërmjet qytetarëve dhe punonjësve të Policisë. Besimi dhe bashkëpunimi me publikun janë themeli i misionit tonë. U shpreh mbështetjen time të plotë të gjithë punonjësve të Policisë që, pavarësisht vështirësive dhe rrezikut, po vijojnë të përmbushin detyrën me përkushtim”, tha Hita.
/tvklan.al












Botërori 2026 