Merr gjithmonë e më shumë formë pista e terrorizmit në sulmin e tramvajit, të hënën në Utrecht, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe u plagosën 5 të tjerë.

Hetuesit holandezë besojnë se atentatori, turku 37-vjeçar, Gokmen Tanis e ka kryer sulmin i frymëzuar nga radikalizmi. Dyshimet vijnë pas një letre të gjetur në makinën me të cilën u arratis nga vendngjarja, ku shkruhej “Allah”.  Në makinën e tij u gjet edhe arma e krimit. Fillimisht u raportua se turku, kishte si shënjestër një nga viktimat dhe se nuk tentoi të kryente një masakër.

Por këto detaje u hodhën poshtë nga policia holandeze që njoftoi se nuk ka asnjë lidhje mes agresorit dhe viktimave. Dy persona të tjerë janë arrestuar, si të dyshuar në lidhje me ngjarjen.

Gokmen Tanis u arrestua mbrëmjen e së hënës, disa orë pasi kishte kryer sulmin. 37-vjeçari ishte i njohur për autoritetet si person me disa precedent penal, për grabitje dhe përdhunim. Fqinjët e përshkruanin turkun si një person me probleme mendore e të rrezikshëm.

Tv Klan