Në mbrëmjen e 29 nëntorit, në fshatin Varage të komunës së Zubin Potokut, në veri të Kosovës ka ndodhur një shpërthim që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit. Ky kanal jo vetëm furnizon me ujë të pijshëm nga Liqeni i Ujmanit disa nga qytetet kryesore kosovare, por përdoret edhe për ujitjen e sipërfaqeve bujqësore. Nuk pati viktima, por kanali ka pësuar dëme.
Paralelisht me riparimin e tubacioneve ne zone vijoi aksioni policor ku u arrestuan disa të dyshuar për ngjarjen. Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në Varagë u shpreh se për shpërthimin nuk janë përgjegjës vetëm një ose dy persona, “por një grup i strukturuar i dirigjuar nga Serbia”.
Sipas Kurtit është arritur riparimi i pjesshëm i tubacioneve.
Dyshohet se autoret kanë përdorur 15 kg eksploziv për shpërthimin e eksplozivit që sipas ministrit Sveçla nuk është i lehtë për t’u gjetur në tregun e zi.
Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka miratuar masa shtesë për të forcuar sigurinë rreth objekteve dhe shërbimeve kritike, si ura, trafostacione, antena, liqene, kanale, etj. Deputeti i Bundestagut gjerman, Michael Roth, e ka konsideruar aktin kriminal në veri të Kosoves të ngjashëm me metodat ruse.
Sipas Roth nëse vërtetohet se Serbia qëndron prapa këtij sulmi, atëherë “ky do të ishte fundi i negociatave të BE-së me të”. Ashpër kanë reaguar edhe ambasadorët e SHBA, BE dhe shteteve të tjera perëndimore me seli në Prishtinë.
Klan News