Një ish-polic ka vrarë të paktën 37 persona, shumica prej të cilëve fëmijë në një sulm me armë dhe thikë në një kopsht parashkollor për fëmijë në veri-lindje të Tajlandës, në provincën Nong Bua Lamphu.

Sipas Policisë, ai më pas vrau veten dhe familjen e tij pas sulmit në kopshtin parashkollor për fëmijë. Motivi i sulmit është ende i paqartë.

Ish-oficeri, 34 vjeç, u shkarkua në muajin Qershor për përdorim droge.

BBC raporton se të paktën 22 fëmijë janë në mesin e viktimave pas sulmit. Disa fëmijë të moshës 2-vjeçare u sulmuan teksa flinin. Dhjetëra të tjerë që u plagosën janë dërguar në spitalin e qarkut Nong Bua Lamphu.

Drejtoresha e kopshtit parashkollor për fëmijë, Nanticha Panchum tha zakonisht kishte më shumë se 90 fëmijë në kopsht, por më pak se 20 ishin të pranishëm sot për shkak të motit të keq dhe një defekti në autobusin që i transportonte.

“Autori erdhi rreth drekës dhe qëlloi së pari katër ose pesë zyrtarë në qendrën e kujdesit për fëmijët,” i tha agjencisë së lajmeve Reuters një zyrtare lokal, Jidapa Boonsom, që po punonte aty pranë. Njëra prej tyre ishte një mësuese që ishte shtatzënë në muajin e tetë.

Oficerët e policisë që mbërritën pas sulmit u përballën me skena të tmerrshme, trupa të të rriturve dhe të fëmijëve, disa prej tyre shumë të vegjël, të shtrirë brenda dhe jashtë godinës së kopshtit parashkollor për fëmijë.

Kryeministri i Tajlandës Prayuth Chan-ocha e përshkroi sulmin si “një ngjarje tronditëse”./tvklan.al