“Masakra e mbrëmjes së ndërrimit të viteve në Stamboll ishte e përgatitur dhe tepër profesionale, aq sa mund të mendojmë se ajo është mbështetur nga shërbimet e inteligjencës së huaj”.

Deklarata vjen nga Zv/kryeministri turk Numan Kurtulmus, i cili në një intervistë për “Hurriyet Daily News” tha se shërbimet e huaja të inteligjencës kanë dorë në vrasjen e 39 personave dhe plagosjen e 69 të tjerëve, në klubin Reina të Stambollit. Zyrtari turk nuk përmendi asnjë emër shteti të dyshuar.

Gjatë të mërkurës, Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu deklaroi se autoritetet janë në dijeni të identitetit të terroristit dhe po punojnë për ta vënë në pranga. Emri i tij nuk do të bëhet i ditur, në mënyrë që të mos pengohen hetimet.

Ndërsa mediat turke thanë se emri i koduar që terroriti përdor brenda qarqeve të ISIS është “Abu Muhammed Horasani.” 

Më tej, gazeta turke ka publikuar disa nga të dhëna të hetimeve të deritanishme, sipas të cilave, agresori ka hyrë nga Siria në Turqi, por në datën 20 Nëntor ai është vendosur në Stamboll bashkë me familjen e tij.

Po sipas këtyre të dhënave, ai ka mundur të largohet nga vendngjarja duke u mbuluar me gjakun e viktimave. Horasani thuhet se ka marrë një taksi për t’u arratisur nga skena e vrasjes.

Deri tani janë vënë në pranga 40 persona, të cilët dyshohet të kenë lidhje me masakrën e mbrëmjes së ndërrimit të viteve.

Tv Klan