Lajçak thërret “Trojken”. Blinken: Policia ka autoritetin të vendosë ligjin

Vrasja e policit të Kosovës, Afrim Bunjakut nga forcat terroriste serbe ka detyruar emisarin e posaçëm të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak të zhvillojë një takim urgjent konsultimi në Bruksel me këshilltarët e lartë të liderëve evropianë dhe emisarin amerikan, Gabriel Escobar.

Në këtë me Eskobar dhe këshilltarët e presidentit francez, Emanuel Makron, të kancelarit gjerman, Olaf Sholz dhe të kryeministres italiane, Xhorxhia Meloni, sipas Lajçak është diskutuar mbi hapat e ardhshëm për rrugën e normalizimit dhe situata në veri.

Ndërsa zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se së shpejti, Kosova dhe Serbia do të ftohen për një takim tjetër urgjent në Bruksel. Duke iu përgjigjur mediave në Bruksel i konsideroi akte terroriste sulmet e armatosura ndaj policisë së Kosovës, ndërsa shtoi se nëse Brukseli e sheh të arsyeshme mund të vendosë masa ndaj Serbisë.

Ngjarja e rëndë e së dielës u dënua ashpër nga sekretari I Shtetit, Entoni Blinken, i cili  tha se autorët e krimit duhet të mbahen përgjegjës, ndërsa u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet dhe ti rikthehen dialogut.

“Sulmet e dhunshme të fundit ndaj Policisë së Kosovës pranë Manastirit të Banjskës janë të papranueshme. Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë për zbatimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. Shtetet e Bashkuara e njohin dhe respektojnë rolin e Policisë së Kosovës si reaguese e parë në situata emergjente dhe krize”.

Në një vizitë urgjente në Prishtinë, Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin pasi takoi kryeministrin Albin Kurti, e vlerësoi situatën e krijuar në veri të tmerrshme, ndërsa sulmin e cilësoi si kriminal dhe terrorist.

“Pamë një situatë të tmerrshme. E dënojmë fuqishëm këtë sulm kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës. Jemi këtu për të shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet për familjarët, policinë e Kosovës dhe të gjithë shtetin”

Lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës reagoi edhe Kremlini, i cili nëpërmjet zëdhënësit Dimitri Peskov, i cili tha se gjendja është shumë tensionuar dhe e rrezikshme.

Tv Klan